Pas përjashtimit nga grupi i PS-së, Elisa Spiropali në emisionin “Opinion”, ka folur për deformimin e votës, problematikat e sistemit zgjedhor dhe përgjegjësinë e kryeministrit Edi Rama. Spiropali u shpreh se mazhoranca duhet të kishte zgjedhur dialogun me protestuesit dhe duhet t’i kishte dhënë hapësirë opozitës. Ajo kërkoi gjithashtu një reformë zgjedhore që do të mundësonte kalimin drejt sistemit proporcional me lista të hapura.
Duke folur për proceset zgjedhore, Spiropali pranoi se ka deformim të votës, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e pushtetit, veçanërisht në zonat periferike. Spiropali ngriti shqetësimin për elementët e krimit, korrupsionit dhe përdorimit të burimeve të pushtetit, duke përmendur tenderët dhe mekanizma të tjerë që, sipas saj, ndikojnë në funksionimin e sistemit.
”Ne duhet të uleshim me protestuesit, ti jepnim hapësirë opozitës, të bënim një reformë zgjedhore me sistem proporcional me lista të hapura. Deformimi fillon nga sistemi elektoral. Deformim të votës ka, sepse forca e pushteti është aq e madhe, dhe mbi të gjitha në periferitë e largëta, presioni i pushteti është shumë i madh.
Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderave dhe shumëçka tjetër në këtë sistem. Edi Rama ka përgjegjësinë për të parë problematikat, ashtu dhe si për t’i ndryshuar ato. Është kryeministri dhe kryetar i PS. Atdheu të mos trajtohet si pronë private.
Jam në betejë për ta ndryshuar dhe për ta evoluar sistemin. Unë jam ajo që kam qenë dhe do jem. Përgjegjësia më e madhe është modeli i personalizimit ekstrem i pushtetit”, tha ajo.
