Haradinaj: Lidhja e shkurtër, Albini e Dejona bashkë me Listen Serbe i lanë jashtë pagës minimale veteranët e luftës

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për përjashtimin e veteranëve të luftës nga përfitimi i pagës minimale, duke e cilësuar këtë veprim si përçmim të kontributit dhe sakrificës së tyre.
Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë dërgon mesazh të gabuar për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pse u desh të liheshin veteranët e luftës jashtë pagës minimale? Pse, ku i ndihmon më shumë? Së pari, e çon një porosi në publikun tonë që nuk njihet kontributi dhe sakrifica, e dyta, imagjinoni kur t’i largon veteranët prej listës, me ndihmën e Listës Serbe”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe protestën e mbajtur në Kuvend, duke thënë se në të njëjtën ditë është publikuar videoja e daljes së parë publike të UÇK-së.
Haradinaj ka theksuar se shumë veteranë vuajnë nga sëmundje dhe trauma të shkaktuara nga lufta, ndërsa ka kritikuar atë që e cilësoi si përjashtim të tyre nga përfitimet.
“A e dini që veteranët, shumica prej tyre, vuajnë nga sëmundjet, kanë trauma? Si i përjashtoni? Unë këtë e quaj lidhje të shkurtër, këtë qeverisje që e bëjnë Albini e Dejona. S’ka tjetër kush në këtë Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe blerjen e energjisë, duke thënë se “klubi i Albin Kurtit dhe Dejona Mihalit” shesin dhe blejnë energji.
“Cili aspekt i jetës së qytetarit është përmirësu edhe për sa? Çkado qoftë, një, ku qytetari jeton më mirë se sa në vitin 2019. Cili, në cilin? Ne sot importojmë nga Serbia më shumë se gjithë, mallrat e Serbisë e kanë pushtu Kosovën nga 0 euro import jemi treg i tyre. Nga 2 projekte me prodhu energji në Kosovë, ne na mungojnë sot 600 megavat që po i blejmë me pare të popullit në Serbi.Guxojnë me thënë çka të dojnë e kerkush nuk u kërkon llogari, ku pe marrin energji. Krejt klubi i Albinit dhe Dejonës shesin dhe blejnë rrymë në Kosovë”, shtoi ai në Politiko të Kanal10.


































