Vdekja e dy italianëve, Araghchi zhvillon bisedë telefonike me Tajanin pas sulmit në Kuvajt
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e dy shtetasve italianë në Kuvajt gjatë bisedave telefonike me homologët e tij nga Italia dhe Kuvajti, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje të Teheranit në këtë sulm.
Në një postim në rrjetin social X, kryediplomati iranian e cilësoi incidentin si të dyshimtë dhe shtoi se ai duket si një recetë e përgatitur paraprakisht për luftë. Ai nënvizoi se Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet e Kuvajtit dhe të Italisë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe origjinën e saj.
Më herët, gjatë bisedës telefonike me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, Araghchi shprehu keqardhje dhe ngushëllime për humbjen e jetës së dy shtetasve italianë, duke i quajtur akuzat ndaj Iranit “të pabaza”.
Një qëndrim të ngjashëm ai mbajti edhe në një bisedë me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah, duke ofruar një hetim të përbashkët për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
Edhe zëdhënësi i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneral brigade Abolfazl Shekarchi, hodhi poshtë pretendimet e ushtrisë kuvajtiane, duke deklaruar se forcat iraniane nuk kanë kryer asnjë operacion ushtarak apo sulm në atë zonë.
Ndërkohë, ambasada iraniane në Romë paralajmëroi për operacione të tipit “false flag” (me flamur të rremë) që, sipas saj, synojnë zgjerimin e konfliktit në Gjirin Persik dhe përfshirjen e Evropës në të.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Kuvajtit, forcat ushtarake zbuluan dhe trajtuan disa dronë në hapësirën ajrore kuvajtiane, ndërsa një sulm që u atribuua Iranit goditi një objekt jetik, duke shkaktuar dëme materiale dhe viktima.
Fillimisht u raportua se katër persona u plagosën nga mbetjet që ranë, por më pas autoritetet kuvajtiane konfirmuan vdekjen e dy shtetasve italianë — të cilët, sipas agjencisë italiane ANSA, ishin punonjës të kompanisë gjermane të mbrojtjes Rheinmetall — si pasojë e plagëve të marra.
Dy persona të tjerë, një shtetas pakistanez dhe një kapiten i ushtrisë kuvajtiane, mbetën të lënduar.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani deklaroi për agjencinë AGI se Italia do të dorëzojë një protestë pranë ambasadës iraniane lidhur me ngjarjen, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për të sulmuar vendet arabe fqinje që nuk janë të përfshira në luftë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu gjithashtu ngushëllime në X, ndërsa Kuvajti rezervoi të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së dhe paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Zhvillimet vijnë në mes të një përshkallëzimi të gjerë rajonal dhe tensioneve të forta mes SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit.
Që nga shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit 2026 mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, përplasjet janë shtrirë në disa frontet, duke përfshirë sulme me dronë e raketa, bllokada detare dhe përpjekje diplomatike rajonale për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




