Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar incidentin që ndodhi në IEVP Burrel, ku i dënuari Dritan Imeri goditi në befasi me një ekspres kafeje punonjësin e Policisë së Burgjeve, inspektorin Agron Bebja, duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës. Ngjarja u regjistrua gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e sigurisë, në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e sigurisë ndërhynë menjëherë për neutralizimin e situatës, ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe rikthimin e kontrollit në institucion. Inspektorit iu dha ndihma e parë brenda IEVP Burrel dhe më pas u shoqërua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit; sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.
Pas incidentit, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mbërritën në IEVP Burrel për të ndjekur nga afër situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Ata vizituan punonjësin e dëmtuar në banesën e tij pasi ai doli nga spitali, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin institucional.
Për rastin është përpiluar raporti i incidentit, ndërkohë që janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e mëtejshëm të ngjarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me vendosmëri çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe shpreh mbështetjen e plotë për stafin e saj.
Drejtoria garanton gjithashtu marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar deri në rikuperimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore, duke i uruar atij shërim të shpejtë. Njoftimi zyrtar përfundon duke theksuar angazhimin institucional për ndjekjen e procedurave ligjore dhe sigurimin e rendit dhe sigurisë brenda institucioneve penitenciare.
