Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë deklaratat e bëra dje nga deputetja Elisa Spiropali dhe përplasjen mes tyre, gjatë një interviste në podcastin “Rishtazi”, me një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

I pyetur nëse qëndrimet publike të Spiropalit mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen zhvillimet dhe masat e ndërmarra nga qeveria, Rama fillimisht theksoi se nuk dëshiron të diskutojë çështje të politikës së brendshme shqiptare në mediat e vendeve të tjera.

Megjithatë, ai bëri një koment për pozicionin e Spiropalit në jetën politike, duke deklaruar se ajo tashmë është e lirë të ndjekë rrugën e saj dhe nuk ka më detyrimin të jetë në një linjë me të apo me Partinë Socialiste.

“Plus pastaj, Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes nëse kundërshtitë mes deklaratave të Spiropalit dhe qëndrimeve të tij mund të cenojnë besueshmërinë e masave që po ndërmerr qeveria, pas protestave në Tiranë.

Rama argumentoi se kundërshtitë nuk mund ta dëmtojnë të vërtetën apo faktet, duke përdorur edhe një metaforë për të përshkruar ndikimin e kritikave.

“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet. Dhe çdo kundërshti që pastaj dëmton është një arsye për të kuptuar se ku qëndron problemi me ne. Por, për sa u përket kundërshtive që janë rreth e rrotull, janë si ato erërat që vetëm e forcojnë pemën”, deklaroi kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur raporti i tij me Elisa Spiropalin është vënë në qendër të vëmendjes, pas qëndrimeve publike të kësaj të fundit.

Komenteve të Ramës, Spiropali iu përgjigj nga një tjetër intervistë televizive, ku theksoi se liria nuk të jepet me dekret.

Ajo tha se e ka ndjekur Ramën se ka besuar te ai, teksa shtoi se ka mbajtur ‘baltë’ mbi fytyrën e saj dhe se ka bërë betejat më të forta politike me opozitën, por edhe me vetë kryedemokratin Sali Berisha.

“Unë e lirë kam qenë dhe e mirë jam. Liria nuk të jepet me dekret. Lirinë nuk e përcakton kryeministri i vendit dhe as kryetari. Unë, e lirë, e kam ndjekur Ramën, e kam ndjekur sepse e kam besuar. Kam mbajtur mbi fytyrën time baltë që nuk më takonte fare. Kam bërë betejat më të forta publike për PS-në në Kuvend, edhe me Berishën, në mungesë të kryeministrit”, tha Spiropali.