Një ndeshje e Europa League mes skuadrës turke të Besiktas-it dhe asaj izraelite Hapoel Beer Sheva është shoqëruar me tensione të forta në stadiumin e Batumit, në Gjeorgji, ku policia ka ndërhyrë ndaj tifozëve turq pas shfaqjes së simboleve pro-palestineze në tribuna.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së vlefshme për javën e pestë të kompeticionit, e cila po zhvillohej në një fushë neutrale, pasi UEFA kishte zhvendosur takimin nga Stambolli për arsye sigurie.
Shkak për përshkallëzimin e situatës u bë shpalosja e një flamuri palestinez dhe e pankartave në mbështetje të Palestinës nga tifozët e Besiktas-it. Policia gjeorgjiane ndërhyri për të larguar simbolet, por situata degradoi shpejt në përplasje fizike mes forcave të sigurisë dhe mbështetësve të skuadrës turke.
Pamjet nga stadiumi tregojnë efektivë që përdorin sprej djegës dhe shkopinj ndaj tifozëve, ndërsa disa prej tyre u nxorën me barela për të marrë ndihmë mjekësore.
Për shkak të trazirave, arbitri danez Morten Krogh ndërpreu ndeshjen rreth minutës së 25-të, duke dërguar futbollistët dhe stafin drejt dhomave të zhveshjes. Takimi rifilloi pas rreth 30 minutash, ndërsa Besiktas arriti ta fitonte me rezultatin 2-1.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi. Klubi i Besiktas-it e cilësoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë si joproporcionale, ndërsa edhe klube të tjera turke, mes tyre Trabzonspor dhe Fenerbahçe, dënuan trajtimin e tifozëve nga policia gjeorgjiane.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, tensionet ishin të pranishme edhe para fillimit të takimit, pasi kapiteni i Besiktas-it, Orkun Kökçü, refuzoi të përshëndeste futbollistët e skuadrës izraelite.