VIDEO/ Boçi: Ambasadori amerikan i dha mesazh SPAK-ut, ndiqni paratë dhe veproni kundër korrupsionit

21:43, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, komentoi mesazhet e ambasadorit amerikan gjatë një aktiviteti për provat digjitale, duke theksuar se deklaratat e tij nuk kishin vetëm karakter teknik, por edhe një përmbajtje të qartë politike dhe publike.

Sipas Boçit, përmes tri llojeve të ligjërimit, teknik, politik dhe publik, ambasadori përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për SPAK-un: të përdorë provat që disponohen, të ndjekë paratë dhe të veprojë kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Ai tha se dalja publike e ambasadorit ishte e pritshme nga opinioni politik dhe se përtej aspektit teknik të aktivitetit, kishte edhe një mesazh politik për institucionet e drejtësisë.

Sipas deputetit demokrat, ambasadori përcolli gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për të ndihmuar SPAK-un dhe për t'i vënë në dispozicion provat që disponojnë autoritetet amerikane.

‘Nuk dua të them se ishte vetëm një seminar dhe se u përdor gjuhë seminari. Ishte gjuhë teknike, por gjuha teknike ishte edhe shkaku i pranisë publike të ambasadorit.

Pra, për mendimin tim, nga ajo që u paraqit dhe që kemi ndjekur, janë përdorur tri lloje ligjërimesh, ose tri gjuhë.

E para ishte gjuha teknike: provat digjitale, domosdoshmëria dhe përgatitja e strukturave të nevojshme të SPAK-ut.

Pjesa tjetër ishte gjuha politike, sepse kjo ishte një dalje që opinioni politik e priste shumë nga ambasadori. Apo jo? Ai e di shumë mirë, të paktën përmes këshilltarëve dhe stafit të tij, se përtej mesazheve teknike duhet të flasë edhe gjuhën politike.

Dhe cila ishte kjo gjuhë politike? Nxitja e SPAK-ut. Ju e thatë vetë: nuk është hera e parë që flitet për ndjekjen e parave për të shkuar te krimi.

Por pse kjo çështje u përmend përsëri dhe me më shumë forcë? Sepse mesazhi ishte më i drejtpërdrejtë se kaq: ‘Ndiqni paranë’. Provat i keni, paratë janë në kriptovaluta, në llogari offshore. Pra, ishte një nxitje për SPAK-un.

E përkthyer drejtpërdrejt, mesazhi ishte: ‘Ju nuk keni punuar mjaftueshëm. Vazhdoni të punoni, sepse nuk mund të rrini, nuk mund të flini’. Natyrisht, nuk mund të flitej me këtë gjuhë kaq të drejtpërdrejtë.

Pra, edhe një herë, ishte edhe gjuha publike, sepse duhet ta ndajmë mirë këtë aspekt. Ambasadori e di shumë mirë se ka pritshmëri nga publiku shqiptar. Kur flet ai, vëmendja është e shtuar. Dhe çfarë priste publiku? Të dëgjonte për gatishmërinë e ambasadës për të ndihmuar SPAK-un dhe për t'i vënë në dispozicion provat që disponon.

Për më tepër, pati edhe një konfirmim të qartë se në Shqipëri korrupsioni është bërë mullar. Pse? Sepse paratë janë në llogari offshore, sepse fshihen në kriptovaluta. Ambasadori tha se ka prova që disponohen nga pala amerikane.

Pra, nuk ishte vetëm gjuha e seminarit, me të gjitha elementet e saj teknike. Ishte edhe gjuha politike dhe gjuha publike.

Patjetër që është shfrytëzuar rasti i seminarit, sepse edhe aktivitete të tilla shërbejnë për të përcjellë mesazhe. Ambasadori nuk mund të dilte me një deklaratë të posaçme vetëm për këtë çështje. Ai shprehu mbështetjen për SPAK-un. Në fund të fundit, SPAK-u është krijuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kjo mbështetje vazhdon të shprehet hapur.

Por, në gjithë këtë trekëndësh, kush mungon? Mungon aktiviteti i SPAK-ut. Pra, ajo që duhet të bëjë vetë SPAK-u.

Sepse të gjitha elementet e tjera ekzistojnë, por SPAK-u nuk po vepron. Ky është, sipas mendimit tim, thelbi i deklaratës së ambasadorit: Veproni! Ky është drejtimi, kjo është fusha. Merrni provat, grumbulloni ato, ngrini akuza të mbështetura në prova dhe, pse jo, çojini përgjegjësit pas hekurave, duke u sekuestruar edhe pasuritë.

Këtu lidhemi edhe me çështjen e sekuestrimit që përmendët. Ekziston një disbalancë mes pasurive të sekuestruara nga zyrtarët e lartë dhe atyre të sekuestruara nga krimi i organizuar. Ka një disbalancë edhe në raport me paratë që qarkullon krimi i organizuar dhe ato që sekuestrohen. Tani e di shumë mirë se për çfarë miliardash bëhet fjalë kur flasim për paratë që qarkullojnë në duart e grupeve kriminale.

Një tjetër çështje është administrimi i pasurive digjitale të sekuestruara. Unë mendoj se prej një viti e gjysmë diskutohet kjo çështje, por nuk ka pasur bazë ligjore apo infrastrukturë teknike, siç është një portofol digjital, për të marrë dhe administruar pjesën e parave digjitale që sekuestrohen.

Dhe këtu dua të ndalem te një tjetër aspekt që ju e përmendët, me qëllimin e mirë dhe instinktin tuaj profesional: pritshmëria që ambasadori të flasë edhe për anën ligjore.

Po, por këtë duhet ta bëjnë prokurorët e SPAK-ut. Ata janë propozuesit e ndryshimeve ligjore. Ata janë që konstatojnë pengesat gjatë punës së tyre.

Nuk janë të tjerët ata që duhet ta bëjnë këtë. SPAK-u është një institucion i pavarur dhe, kur konstaton se nuk ka mbështetje të mjaftueshme ligjore apo se ekzistojnë kufizime në legjislacion, duhet të paraqesë propozime për ndryshime.

Dhe këtu shtrohet një pyetje: Gjatë gjithë kohës që SPAK-u është krijuar, a ka paraqitur ndonjë propozim për ndryshime ligjore në kodet përkatëse?’, tha deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco