Një pankartë që paraqet raketa duke fluturuar drejt ndërtesës së konsullatës holandeze në Moskë është shfaqur në fasadën e saj, në një tjetër episod të tensioneve mes Rusisë dhe Holandës për shkak të luftës në Ukrainë.
Veprimi vjen pas njoftimit të kompanisë holandeze të industrisë së mbrojtjes, Destinus, se raketat dhe dronët e saj të tipit Ruta janë përdorur nga forcat ukrainase në sulmin e 17 nëntorit ndaj Urës së Krimesë.
Sipas raportimeve, sulmi shkaktoi shkatërrimin e një harku dhe dëmtimin e një pjese të strukturës rrugore të urës, e cila lidh territorin rus me gadishullin e Krimesë.
Deklarata e kompanisë nxiti reagimin e Moskës. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi njoftimin si “vetëinkriminim”, ndërsa ambasada ruse në Holandë kërkoi shpjegime nga autoritetet në Hagë.
Nga ana tjetër, Holanda ka kërkuar vazhdimisht që Rusia të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj gjatë pushtimit të Ukrainës, përfshirë akuzat për krime lufte.
Një prej çështjeve kryesore është urdhërarresti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për dyshimet mbi dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara. I njëjti institucion ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj Maria Lvova-Belovas, komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve, e dyshuar për përfshirje në këto transferime.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Hagës mbeten të tensionuara, ndërsa përdorimi i pajisjeve ushtarake të prodhuara nga një kompani holandeze në operacionet ukrainase ka hapur një tjetër front përplasjesh diplomatike mes dy vendeve.

