Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe Partisë Socialiste, duke e cilësuar pushtetin aktual si një “kartel” që, sipas tij, ka marrë peng shtetin.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Lapaj komentoi zhvillimet politike, përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe protestën që lëvizja e tij vijon prej muajsh.
Ai akuzoi deputetët e mazhorancës se nuk kanë kurajën të shprehin qëndrimet e tyre, duke i përshkruar si të heshtur përballë zhvillimeve brenda partisë. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të fundit, ku pretendon se PS ka pësuar një rënie prej 17%, dëshmon për një përçarje të konsiderueshme në strukturat socialiste.
Lapaj iu drejtua edhe socialistëve që nuk janë dakord me drejtimin aktual të partisë, duke i ftuar të bashkohen në kundërshtimin e asaj që ai e cilësoi si kapje të shtetit nga një grup i organizuar.
Gjatë intervistës, kreu i “Shqipëria Bëhet” bëri të ditur se lëvizja do të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 107 mijë firma qytetarësh për referendumin kundër “Paketës së Maleve”.
Ai tha se nisma synon të promovojë demokracinë e drejtpërdrejtë dhe të rikthejë qytetarët në vendimmarrje.
“Është kartel, është një kartel që komandohet nga ata që i bëjnë votat. Deputetët e republikës janë të gjithë memecë, nuk flasin dot. Çdo socialist që nuk është dakord me shefen apo Edi Ramën, të rrijë këtu. Këtu çdokush duhet të dalë kundër marrjes së shtetit peng nga karteli”, deklaroi Lapaj.
Ai shtoi se lëvizja e tij prej 12 muajsh është e angazhuar në protestë dhe u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin nismën për referendum.











