Vendndodhja e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, dy figurave kontroverse serbe të lidhura me zhvillimet në veri të Kosovës, vazhdon të jetë e panjohur, ndërsa raportimet e fundit të mediave në Serbi sugjerojnë se ata mund të jenë larguar drejt Rusisë ose Kirgistanit.

Gazetarët investigativë në Serbi kanë ngritur dyshime se të dy mund të kenë shfrytëzuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve dhe mungesën e një qeverie të re në Beograd për t'u larguar nga vendi, në një kohë kur autoritetet serbe kanë nisur arrestime dhe procedura të ndryshme ndaj personave të lidhur me pushtetin e mëparshëm.


Gazetarja e KRIK-ut, Bojana Jovanoviq, ka thënë se Rusia është një nga destinacionet e mundshme ku mund të jetë strehuar Veselinoviqi, duke pasur parasysh lidhjet e tij me këtë shtet.

KRIK kishte raportuar më 11 nëntor se Zvonko Veselinoviqi kishte udhëtuar nga Sarajeva drejt Turqisë. Ndërkaq, ish-inspektori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar dy ditë më vonë në televizionin N1 se Milan Radoiçiq ishte larguar drejt Rusisë.

“Është interesante ta shohim Veselinoviqin të relaksuar gjatë gjuetisë dhe të dimë se ka lidhje me Rusinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që e dimë se ai është larguar nga Serbia. Kemi marrë informacion se ka udhëtuar nga Sarajeva drejt Turqisë, por nuk e dimë se cili është destinacioni i tij përfundimtar. Rusia është padyshim një nga vendet ku ai mund të kërkojë strehim dhe ku mund të ndihet i sigurt”, ka deklaruar Jovanoviq.

Ajo ka vlerësuar se situata politike në Serbi mund t'u ketë krijuar hapësirë personave me ndikim që të largohen nga vendi, në një periudhë kur institucionet po funksionojnë në kushte të paqarta politike.

Sipas saj, arrestimet e fundit lidhen kryesisht me hetime të mëhershme, kallëzime penale dhe procedura të hapura, ndërsa mungesa e një qeverie të re po krijon një situatë ku përplasje të ndryshme brenda strukturave të pushtetit mund të ndikojnë në zhvillimet institucionale.

“Nuk kemi ende një qeveri të re. Arrestimet po ndodhin brenda strukturave të regjimit të mëparshëm. Njerëz nga regjimi i mëparshëm po arrestojnë njerëz të tjerë të po atij regjimi, si Radoiçiqi dhe Veselinoviqi. Ka një konflikt të dukshëm mes mbështetësve të regjimit të mëparshëm. Kaosi u krijon hapësirë individëve me ndikim që të fshihen, pasi nuk ka hetime serioze”, ka thënë ajo për N1.

Veselinoviqi dyshohet se tentoi të kontaktonte Vuçiqin para largimit

Ndërkohë, gazetari i Radar-it, Milan Radonjiq, ka dhënë informacione jozyrtare për lëvizjet e Veselinoviqit dhe raportet e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, Veselinoviqi kishte tentuar të kontaktonte Vuçiqin në ditët para zgjedhjeve në Serbi, por nuk kishte arritur të komunikonte me të.

Radonjiq thekson se biznesmeni kontrovers ishte larguar nga Serbia një ditë pas zgjedhjeve, pasi paraprakisht kishte përmbushur disa detyrime tatimore të kompanive të tij, përfshirë edhe kompaninë “Novi Pazar-put”.

“Në ato pak ditë para zgjedhjeve, disa nga informacionet tona të brendshme sugjerojnë se Veselinoviqi u përpoq të lidhej me Vuçiqin, por nuk arriti ta kontaktonte. Të nesërmen pas zgjedhjeve, pasi kishte mbyllur më parë detyrimet e tij tatimore në kompani, ai u largua nga Serbia”, ka deklaruar Radonjiq.

Gazetari ka shtuar se në pronat në lagjen Dedinje, të cilat u përkasin Veselinoviqit, Radoiçiqit ose familjarëve të tyre, nuk ka njerëz, ndërsa sipas tij, po krijohet përshtypja e rreme se pronat vazhdojnë të jenë të banuara.

Radonjiq ka theksuar se Veselinoviqi dhe Radoiçiqi kanë pasur pozita të ndryshme në raport me strukturat politike në Serbi. Sipas tij, Veselinoviqi kishte ruajtur më shumë hapësirë veprimi dhe lidhje me qarqet pro-ruse, ndërsa Radoiçiqi ishte bërë një figurë shumë më e ekspozuar pas sulmit në Banjskë.

Të dy janë nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit, por Radonjiq thotë se pozita e Radoiçiqit është më e ndërlikuar, pasi ai është në listën e personave të kërkuar dhe emri i tij përmendet në negociatat ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë.

Radoiçiqi nuk u paraqit në polici sipas detyrimit

Rasti i Milan Radoiçiqit është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të rolit të tij në sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023.

Autoritetet serbe kishin marrë vendim që atij t'i ndalohej largimi nga vendbanimi dhe nga Serbia pa lejen e institucioneve kompetente. Po ashtu, atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte caktuar detyrimi që të paraqitej në stacion policor çdo 15 ditë.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave serbe, herën e fundit kur duhej të paraqitej në polici, Radoiçiqi nuk e kishte përmbushur këtë detyrim.

Gazetari Radonjiq ka kritikuar institucionet serbe për mënyrën se si është trajtuar rasti, duke vënë në pikëpyetje se si Radoiçiqi mund të largohej nga vendi, pavarësisht masave të shqiptuara ndaj tij.

Ai ka theksuar se edhe me pasaportë të konfiskuar, udhëtimi drejt vendeve të rajonit mund të bëhet me letërnjoftim, duke ngritur përgjegjësinë e institucioneve që duhej të mbikëqyrnin lëvizjet e tij.

Radoiçiqi akuzohet në Serbi për blerjen e armëve, municioneve dhe eksplozivëve me fuqi të madhe shkatërruese, të cilat, sipas aktakuzës, ishin siguruar nga Tuzla e Bosnjë-Hercegovinës, gjatë periudhës nga janari 2023 deri më 24 shtator të po atij viti.

Sipas aktakuzës, armatimi ishte transportuar në territorin e Beogradit dhe më pas ishte dërguar në Kosovë, ku ishte fshehur në ndërtesa të braktisura dhe në zona pyjore.

Në Kosovë, Radoiçiqi konsiderohet organizatori dhe udhëheqësi i grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit sulmues serb.

Radoiçiqi, në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, pesë ditë pas sulmit kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e tij përmes një deklarate të publikuar nga avokatët e tij. Më pas kishte dhënë dorëheqje nga pozita në këtë parti.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave për rastin e Banjskës. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati.

Lidhjet me pushtetin e Vuçiqit dhe të kaluarën kriminale

Gazetarët investigativë serbë kanë rikthyer në vëmendje edhe raportet e dy figurave me strukturat e pushtetit në Beograd, duke pretenduar se për vite me radhë ata kanë gëzuar mbrojtje nga udhëheqës të lartë shtetërorë dhe institucione të sigurisë.

Gazetari i Radar-it ka kujtuar një deklaratë të mëhershme të Aleksandar Vuçiqit, i cili e kishte cilësuar Radoiçiqin si “njeriun numër një për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”.

Sipas Radonjiqit, Veselinoviqi kishte pasur ndikim më të madh në mesin e qytetarëve në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës edhe para ardhjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet. Ndërsa Radoiçiqi, sipas tij, ishte përfshirë më thellë në marrëveshjet që Beogradi zyrtar kishte ndërtuar në veri të Kosovës.

Gazetarja Selakoviq ka përmendur gjithashtu fotografitë e Veselinoviqit me Andrej Vuçiqin, vëllain e presidentit serb, si dhe korrespondencën e publikuar nga aplikacioni i koduar Sky, që sipas saj dëshmonte lidhje dhe ndikim në qarqet politike e policore.

Në mesazhet e publikuara, sipas saj, Veselinoviqi kërkonte të ndikonte në emërimet në Policinë e Serbisë, përfshirë kundërshtimin e emërimit të Veselin Miliqit në pozitën e drejtorit të policisë në vitin 2020.

Gazetarët kanë rikujtuar edhe disa raste të mëhershme në të cilat ishin përmendur emrat e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, përfshirë dyshime për përfshirje në rrëmbimin e një biznesmeni maqedonas, raste të lidhura me narkotikë dhe vjedhje të kamionëve të marrë me qira në Serbi e të dërguar në Kosovë.

Sipas gazetarit Selakoviq, në këto raste të dy kishin përfunduar të liruar nga akuzat, ndërsa procedurat ishin përcjellë me ndryshime të deklaratave dhe zhvillime të pazakonta.

Ndërkohë, pavarësisht raportimeve për largimin e tyre nga Serbia dhe dyshimeve për destinacionet ku mund të ndodhen, vendndodhja e saktë e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit mbetet e pakonfirmuar publikisht./Telegrafi/