Partia “Yashar” e Gadi Eisenkot ka arritur një marrëveshje paraprake koalicioni me partinë “Demokratët” të Yair Golan, duke rritur shanset për krijimin e një qeverie të re në Izrael dhe për largimin e Benjamin Netanyahut nga pushteti. Lajmi u bë publik nga të dyja partitë, të cilat konfirmuan arritjen e dakordësisë, ndërsa theksuan se detajet përfundimtare vijojnë të diskutohen përpara nënshkrimit të marrëveshjes. Partia “Demokratët” e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të qeverisjes së Netanyahut. Kreu i saj, Yair Golan, deklaroi në rrjetin social X se opozita do të përmbushë premtimin për zëvendësimin e kryeministrit dhe mbrojtjen e demokracisë. Marrëveshja vjen pas rifillimit të negociatave mes dy forcave politike, të cilat ishin pezulluar për shkak të bisedimeve të Eisenkot me partinë “Likud” të Netanyahut. Sipas mediave izraelite, marrëveshja parashikon që “Demokratët” të marrin disa poste në qeverinë e ardhshme, përfshirë Ministrinë e Sigurisë Kombëtare, e cila aktualisht drejtohet nga Itamar Ben-Gvir. Ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj zhvillimit. Afati për formimin e qeverisë është 6 dhjetori, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh nga presidenti.