Screenshot

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale, të cilat parashikojnë ndryshime dhe shtesa në legjislacionin tatimor të vendit.

Gjatë votimit në seancën plenare, projektligjet morën mbështetjen e shumicës së deputetëve, me një numër votash pro që varion nga 78 deri në 82.

Konkretisht, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi të ardhurat’” u miratua me 82 vota pro.

Ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” mori 78 vota pro.

Me 80 vota pro u miratua projektligji për ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu, projektligji për ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” u miratua me 80 vota pro dhe 20 kundër.

Ndërkohë, projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” mori 78 vota pro.

Me këto votime, Kuvendi i dha dritën jeshile paketës fiskale, e cila përfshin ndërhyrje në pesë ligje që lidhen me tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Top Channel