Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Obligimet, kushtëzimet dhe detyrat e Kosovës | KONFRONT

Mustafa: BE-ja po e qet topin në terrenin e Kosovës, por një pjesë e fajit e ka vetë

4 o. më parë / 26 nën 2026 21:01
Qemajl mustafa

Ish-politikani Qemal Mustafa ka thënë se Bashkimi Evropian e ka një pjesë të fajit që Kosova ka dështuar t’i përmbushë një pjesë të reformave që kërkoheshin me Planin e Rritjes. 

Ai në “Konfront” të KTV-së ka thënë se një pjesë e reformave nuk ishte e mundur të realizoheshin shkaku i masave ndëshkuese që BE-ja ia kishte vendosur Kosovës. 

“Bashkimi Evropian gjithmonë topin po e qet në terrenin e Kosovës, edhe të atyre që po dështojnë në këtë rrugëtim të përmbushjes së obligimeve, sepse, siç thuhet, faji është jetim përherë edhe kush s'e merr për veti...Është shumë e qartë që përmbushja e këtyre reformave, gjegjësisht atyre akteve që duhet t'i përmbushë Kosova. Më duket kanë qenë të listume nja 160 e kusur, e që një pjesë e madhe e tyre nuk janë përmbushur deri tash, janë për shkak të sanksioneve të cilat u aplikuan pikërisht nga Bashkimi Evropian, mandej nga pengesat që na brenda ia bëmë vetvetes, me mungesën e Kuvendit, miratimin e akteve ligjore, marrëveshjeve të tjera, edhe me mungesën e institucioneve”, tha Mustafa. 

Mustafa ka thënë se ku ka pasur vullnet politik në Kosovë janë përmbushur obligimet me shpejtësi.

Por, kur ka munguar ka pasur probleme. Ai ka thënë se sidomos sanksionet që erdhën nga BE-ja ndikuan. 

“Por, Bashkimi Evropian se fajëson veten”, tha Mustafa, i cili ka insistuar se një pjesë të fajit e ka BE-ja. “Unë mendoj që është konstatim me vend, pasi nuk ka pasur bazë të arsyeshme, realiste për vendosjen e atyre sanksioneve, të cilat zgjatën shumë”.   

BE-ja filloi zbatimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës në qershorin e vitit 2023, pas tensioneve në veri të vendit. 

Të gjitha masat u hoqën në mars të vitit 2026. 

Mustafa ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se në raport me BE-në si lehtësuese, Kosova ka qenë konstante. Por, ai ka thënë se risi ka në Serbi, pasi ka ndryshim pushteti dhe se BE-ja duhet të bëjë presion te pushteti i ri në Serbi. 

“Në raport me BE-në si lehtësues, si ndërmjetësues, Kosova është konstante. Se në Kosovë kemi vazhdimësi të qeverisjes prej një kryeministri edhe prej një formacioni të shumicës. Domethënë s'ka kurrgjë të re këtu. Kemi risi në Serbi. Në Serbi është bërë ‘ajo përmbysja e madhe e pushtetit’ dhe nëse BE-ja e ka vullnetin për me shku kah progresi në dialog, do të duhej me i bërë trysni pushtetit të ri në Serbi”, tha Mustafa. 

Krasniqi për Planin e Rritjes: Deputetëve duhet t’u faturohet dëmi që i është bërë Kosovës

4 o. më parë / 26 nën 2026 21:00
Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se humbja e të paktën 43 milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor duhet t’u faturohet deputetëve të Kuvendit.

Për shkak të mospërmbushjes së kushteve të caktuara nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur miliona euro nga buxheti i ndarë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Deri tash janë konfirmuar si të humbura të paktën 43 milionë euro e priten edhe të tjera.  Arsyeja kryesore për humbjen e këtyre mjeteve nga ana e Kosovës është kriza e tejzgjatur institucionale gjatë së cilës nuk ka funksionuar Kuvendi dhe nuk ka qenë e mundur të miratohen disa vendime specifike që ishin kusht për pagesat nga Plani i Rritjes.

“Janë deputetët atyre të cilëve duhet faturuar ky dëm që i është bërë Kosovës, për shkakun që për gjithë këta muaj, për gati dy vjet, nuk kanë qenë në gjendje t'i japin Kosovës institucione funksionale, të cilat do të mund të merreshin me detyrat që ia ka listuar Bashkimi Evropian si kushte për t'i realizuar gjithë këto fonde, sepse Kosova është përfituese e gati një miliard eurove të Planit të Rritjes. Dhe fatkeqësisht, në mungesë të vendimmarrjes në Kuvend, pra gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë i paralizuar, ka qenë e pamundur të nxirreshin, të hynin në fuqi dokumente me rëndësi që kërkoheshin”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së. “Prandaj është ky problem që, për qëllime puro partiake, ne sot e kemi këtë situatë kur Kosova dhe qytetarët e Kosovës privohen nga një numër i madh projektesh, po e zëmë, që kishin mundur të përfitonin nga këta 43 milionë euro që po i dimë e që brenda pak dite ne mundemi me marrë lajmin që janë shumë më shumë se 43 milionë”.

Krasniqi ka thënë se pos këtyre mjeteve kanë shkuar dëm edhe 20 milionë euro të tjerë për dy palë zgjedhje e se pasojat ende do të vazhdojnë t’i përcjellin qytetarët e Kosovës.

Duke folur për çështjen e Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kuvendi ka përjetuar rënie të nivelit të klasës politike. Sipas tij, në Kuvend një pjesë e madhe e deputetëve “janë njerëz të TikTokut”.

“Nga njerëzit e TikTok-ut ti ke me pritë ekskluzivisht përplasje dhe jo ndonjë fjalë të mençme ose ndonjë kontribut të mençur që qëllim ka me i shty ose me prodhu një rezultat më të mirë sesa i sponsorizohet ose del përpara qoftë si nismë ligjore a diçka tjetër. Kështu që, kryesisht pjesë e madhe mendjen e kanë çka ka me më dhezë në rrjete sociale sesa çfarë politike mundemi me shty përpara”, ka thënë ai.

Alijaj për humbjet nga Plani i Rritjes: Faji është te Kosova

4 o. më parë / 26 nën 2026 20:40
Artan Alijaj

Artan Alijaj nga organizata "The Strategy Group" ka thënë se për humbjen e fondeve të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian fajin e ka vetëm Kosova, më saktësisht klasa politike e Kosovës. 

Alijaj ka thënë se ka qenë e ditur se bllokada institucionale do të çojë në humbjen e këtyre fondeve. 

“E dinim qysh në fillim të vitit se ne po humbim fondet për shkak të bllokadës institucionale. Faji është tek ne, tek klasa politike e Kosovës. Dhe këtu nuk na ka faj askush. Me plotë vetëdije ishim secili se po humbim fondet. Saktë nuk e dinim se sa do të jetë numri, si duket as sot nuk ishte numri i saktë. Por, ne kishim të bëjmë me një listë me detyra që i pranuam e ato detyra vinin me shpërblime nëse realizoheshin...Ne po humbin shpërblimin. Është thënë fillim të procesit se secili vend që nuk përmbush pritshmëritë e BE-së ato fonde do të merren e shpërndahen te vendet tjera”, ka thënë Aliaj në “Konfront” të KTV-së.  

Paratë që tashmë i ka humbur Kosova nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do t’u shkojnë tri vendeve të tjera të rajonit të cilat me kohë i kanë përmbushur kriteret për shfrytëzimin e tyre.

Këtë e kanë paralajmëruar burimet e Komisionit Evropian ë Bruksel duke rikujtuar se të gjitha gjashtë vendet e rajonit e kanë pasur të qartë se këto mjete janë me afate të kufizuara dhe se ato mjete që një shtet nuk i shfrytëzon do t’u jepen vendeve që kanë performancë më të mirë.

Kështu mjetet nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor që nuk i kanë shfrytëzuar me kohë Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia do t’u ndahen si mjete shtesë Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Se mjetet e pashfrytëzuara nga të ashtuquajturit “nxënësit e dobët” do t’u shkojnë atyre që kanë performancë më të mirë e ka konfirmuar mbrëmë në Bruksel edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur para gazetarëve pas samitit të BE-së me liderët e rajonit të Ballkanit Perendimor.