Kuvendi miraton aktin për protestat, 79 vota pro edhe për gjobën 5 mijë lekë që pezulloi Kushtetuesja
Kuvendi ka miratuar me 79 vota pro aktin normativ për tubimet, përfshirë edhe dispozitën që parashikon gjobë prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Votimi u zhvillua pa mbështetjen e opozitës, ndërsa zbatimi i kësaj pike është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri në shqyrtimin e çështjes.
Miratimi erdhi pas një seance maratonë, ku opozita kërkoi tërheqjen e aktit nga rendi i ditës, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të vijonte me shqyrtimin e një dispozite për të cilën Kushtetuesja kishte vendosur pezullimin.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u bë publik ndërkohë që në Kuvend vijonin diskutimet. Përfaqësuesit e opozitës e konsideruan votimin në kundërshtim me vendimmarrjen e gjykatës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të lexohet si një paralajmërim serioz. Ju nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon”, deklaroi Tedi Blushi.
Edhe deputetja Jorida Tabaku kërkoi që mazhoranca të ndalte procedurën deri në respektimin e vendimit të gjykatës.
Nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, argumentoi se Kushtetuesja nuk kishte pezulluar të gjithë aktin normativ, por vetëm zbatimin e pikës që lidhet me gjobat për bllokimin e rrugëve.
Sipas tij, kjo nuk pengonte Kuvendin që ta shqyrtonte dhe ta miratonte aktin në tërësi.
Gjykata Kushtetuese e kishte argumentuar pezullimin me paqartësinë e formulimit të dispozitës, pasi ajo nuk bënte dallim mes tubimeve të autorizuara dhe atyre pa autorizim. Sipas gjykatës, kjo mund të krijonte pasoja serioze dhe të pariparueshme për ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe aktin normativ për dëmshpërblimin e bizneseve që kanë pësuar dëme nga aktet e dhunës gjatë protestave.
Kuvendi rrëzon me 80 vota amendamentin e PD-së për pagën e 13-të të mësuesve
Paketa fiskale kalon në Kuvend! TVSH-ja zbret në 6% për 54 produkte, por rriten taksat për bizneset dhe automjetet
Debate në Kuvend për votimin e Buxhetit 2027 dhe Paketë Fiskale
- 07:34 Kuvendi miraton ligjin për donacionet dhe sponsorizimet, 81 vota pro
- 07:29 Kuvendi rrëzon me 80 vota amendamentin e PD-së për pagën e 13-të të mësuesve
- 07:25 Paketa fiskale kalon në Kuvend! TVSH-ja zbret në 6% për 54 produkte, por rriten taksat për bizneset dhe automjetet
- 05:33 Irani mohon sulmin me dronë në Kuvajt ku u vranë dy italianë: Nuk kemi kryer asnjë operacion ushtarak
- 03:28 Shtatzëna e dënuar me 6 vite burg arratiset me makinën e policisë
- 02:13 Forcat e Armatosura hapin dyert për të rinjtë në Elbasan, prezantohen mundësitë e rekrutimit (VIDEO)