Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kanë diskutuar luftën në Ukrainë, konfliktin në Iran, shpenzimet për mbrojtjen dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë të publikuar pas takimit të së mërkurës në rezidencën e tij Mar-a-Lago, Trump e cilësoi takimin si të jashtëzakonshëm, duke thënë se bisedimet u përqendruan kryesisht në zhvillimet e sigurisë ndërkombëtare.


Sipas tij, një nga temat kryesore ishte nevoja që Rusia dhe Ukraina të shmangin veprimet që mund ta zgjerojnë luftën, qoftë me qëllim apo pa dashje.

“Folëm gjatë për rëndësinë që Rusia dhe Ukraina të shmangin çdo veprim që mund ta zgjerojë luftën, si dhe për rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi presidenti amerikan.

Trump bëri të ditur se me Rutte diskutuan edhe arritjet e përbashkëta të SHBA-së dhe NATO-s në samitet e mbajtura në Hagë dhe Ankara, si dhe nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe investimeve në industrinë ushtarake.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij iu kushtua zgjerimit të kapaciteteve prodhuese të kompanive amerikane të mbrojtjes.

Trump tha se aktualisht janë duke u ndërtuar më shumë se 20 objekte të reja, të cilat do të përqendrohen në prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot dhe THAAD, raketave Tomahawk, si dhe armëve të tjera sulmuese dhe mbrojtëse.

Ai nuk dha detaje për vendndodhjen e këtyre objekteve apo kapacitetet e tyre të planifikuara, por theksoi se disa prej sistemeve të reja ende nuk janë bërë publike.

“Asnjëherë më parë Shtetet e Bashkuara nuk kanë prodhuar më shumë pajisje ushtarake dhe municione sesa tani”, deklaroi Trump.

Ai shtoi se rezervat amerikane së shpejti do të jenë të mbushura dhe se kjo do t'u sjellë përfitime aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së në mbarë botën.

Takimi mes Trumpit dhe Rutte zhvillohet në një periudhë të tensionuar të sigurisë ndërkombëtare, kur lufta në Ukrainë dhe konflikti në Iran mbeten ndër çështjet kryesore në agjendën e NATO-s dhe të Uashingtonit. /Telegrafi/