Hotelet luksoze përfitojnë edhe 3 vite lehtësi fiskale, PS shtyn afatin e përjashtimit 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një tjetër zgjatje të skemës së përfitimeve fiskale për investimet në hoteleri, duke u dhënë hoteleve dhe resorteve me katër dhe pesë yje edhe tre vite kohë për të përfituar statusin special që u mundëson përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për 10 vjet.
Ndryshimi u miratua gjatë votimit të paketës fiskale për vitin 2027, përmes një amendamenti të propozuar nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri. Me votat e mazhorancës, afati që përfundonte në dhjetor 2026 u shty deri në dhjetor 2029.
Vendimi prek strukturat akomoduese me katër ose pesë yje që mbajnë një markë ndërkombëtare dhe synojnë të përfitojnë statusin special. Në këtë mënyrë, mundësia për të hyrë në skemën e përjashtimit 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin mbetet e hapur edhe për tre vite të tjera.
Por mënyra se si u kalua amendamenti shkaktoi përplasje në Kuvend. Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi mazhorancën se e kishte futur ndryshimin pa transparencë dhe pa e bërë të njohur gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare.
Ajo e cilësoi vendimin si një favorizim për interesa të caktuara ekonomike, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi angazhimet e qeverisë ndaj Bashkimit Evropian për shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike.
“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtetit”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, prej vitit 2018 qeveria ka vijuar të zgjasë përfitimet për investitorët strategjikë, ndërsa ndryshimet e tilla po miratohen pa transparencën e nevojshme.
Amendamenti u miratua me 77 vota pro, duke zgjatur kështu edhe për tre vite të tjera mundësinë që hotelet luksoze të përfitojnë statusin special dhe lehtësinë fiskale të parashikuar nga ligji.
Rama publikon mesazhin e mëngjesit: Sot në Tiranë samiti i Planit të Rritjes me liderët e Ballkanit dhe Marta Kos
Kuvendi miraton ligjin për donacionet dhe sponsorizimet, 81 vota pro
Kuvendi miraton aktin për protestat, 79 vota pro edhe për gjobën 5 mijë lekë që pezulloi Kushtetuesja
- 08:37 Trump zbut tonet pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit, lë të hapur bashkëpunimin me demokratët
- 08:29 Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani, masa të rrepta sigurie pas sulmeve vdekjeprurëse të viteve të fundit
- 08:24 A po bëhet Lista Serbe e pavarur nga Beogradi?
- 08:21 Tensionet me Rusinë – Pesë vende të NATO-s bashkojnë forcat për blerjen e 430 mjeteve luftarake
- 08:21 Buxheti i BE-së përplas Macronin me Le Pen: Ajo është arrogante, flet sikur i ka fituar tashmë zgjedhjet
- 08:14 Gjendje e jashtëzakonshme në Nju Jork, moti i keq paralizon SHBA-në në Ditën e Falenderimeve (VIDEO)