Pesë ditë pas shpalljes së partisë së parë nga një grup studentësh pro PD-së, dje, një tjetër grup studentësh, në emër dhe si reflektim i protestës, njoftuan krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Për të prezantuar partinë e re ishte përzgjedhur një pesonazh disi i pazakontë për misionin historik për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti dhe qeverisjen e Shqipërisë. Ajo është Lulzime Faria, e cila u kthye me shpejtësi në meme në rrjetet sociale, si një personazh më pranë showbizzi-t, tallavasë dhe Për’Puthen se sa për të notuar me peshkaqenët politikë.
Në qershor të vitit 2018, Faria ishte një nga 31 konkurrentet e edicionit të 20-të të spektaklit “Miss Shqipëria”, i zhvilluar në pedonalen e Tiranës. Ajo konkurronte me numrin 21 dhe, ndonëse nuk arriti të fitonte kurorën e më të bukurës, u vlerësua me çmimin “Miss Miqësia”. Në daljet e mëparshme televizive, Faria ka folur për eksperiencën e saj në modeling, përballjen me bullizmin dhe ambicien për të vazhduar karrierën e saj jashtë vendit.

Gjatë protestave, Lulzimja ka mbajtur edhe disa fjalime politike plot gafa dhe ‘turbulenca artikulimi’, duke na sjellë në mendje ish deputeten Majlinda Halilajn, e njohur ndryshe si deputetja e ‘kërpëratave’, simbol i mediokritetit dhe analfabetizmit të një pjese ligjvënësish të Parlamentit aktual, ‘cilësi’ këto të demostruara gjatë një fjalimi plot gafa për ligjin e korporatave. Nuk dihet ende me saktësi se kush fshihet pas partisë së dytë, por Faria tha se ka nisur mbledhja e firmave dhe se në javët në vijim grupi do të dalë në qytete e fshatra për të prezantuar nismën.

Ndërkaq. ajo nuk bëri të ditur se çfarë pozicioni do të mbajë në strukturat drejtuese të partisë së re. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse grupi i studentëve që ajo përfaqëson ka marrë mbështetjen e protestuesve për krijimin e kësaj force politike. E pyetur nga gazetarët nëse grupi kishte mandatin e protestuesve të sheshit, Faria u largua pa dhënë përgjigje.

Grupe studentësh, gjatë ditëve në vijim, pritet të shpallin edhe tre parti të reja, gjithnjë në emër të protestës dhe rrymave revolucionare që synojnë rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Me këtë ritëm, çdo javë pritet të themelohet dhe shpallet nga një parti e re deri në prag të zgjedhjeve lokale, duke thelluar më tej inflacionin e partive fantazmë në Shqipëri, ku përgjithësisht kanë vetëm emrin, ku shumica nuk kanë as adresë.

Gjatë verës, flamingot nisën një organizim pas platformave parahistorike të Dritan Goxhajt dhe Përparim Gjekës, duke u mbledhur nëpër holle hotelesh, ku nisën të grindeshin deri në përleshje fizike për mënyrën e rrëzimit të qeverisë, për protagonizëm dhe më pas për vjedhjen e fondeve të mbledhura në emër të revolucionit. Përleshjet shumë shpejt u zhvendosën para Kryeministrisë për mikrofonin dhe fondet. Grupi i flamingove u nda në disa fraksione kundërshtare, ndërsa dhjetëra mijëra euro u zhdukën.