Koalicioni qeverisës në Zelandën e Re ka humbur shumicën parlamentare me vetëm një mandat, duke e vendosur kryeministrin Christopher Luxon përballë negociatave të vështira për të mbajtur pushtetin.
Sipas rezultateve zyrtare, Partia Kombëtare e drejtuar prej tij siguroi 40 nga 130 mandatet, ndërsa aleatët ACT dhe New Zealand First morën përkatësisht 13 dhe 12 vende. Për të formuar shumicën, koalicionit i nevojitet mbështetja e Partisë së Qendrës Opportunity, e cila ka siguruar shtatë mandate dhe konsiderohet vendimtare për krijimin e qeverisë së re.
Nëse negociatat dështojnë, vendi mund të detyrohet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, blloku i majtë i drejtuar nga Partia Laburiste, e cila fitoi 36 mandate, nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, edhe nëse merr mbështetjen e Opportunity.
Luxon pranoi se negociatat mund të jenë të vështira, ndërsa drejtuesja e Opportunity, Qiulae Wong, deklaroi se do të diskutojnë me Partinë Kombëtare, por se të gjitha mundësitë mbeten të hapura.
Rezultati përfundimtar ndryshoi nga parashikimet paraprake të 7 nëntorit, pasi votat speciale, të hedhura nga qytetarët jashtë vendit ose jashtë zonës së tyre zgjedhore, i kushtuan koalicionit dy mandate.
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë pakënaqësie për ekonominë e dobët, rritjen e kostos së jetesës dhe papunësinë, ndërsa largimi i qytetarëve drejt Australisë ka arritur nivele rekord.
