Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka folur për mediat në prag të duelit të 28 nëntorit ndaj gjermanit Agit Kabayel. Sfida mes tyre është e vlefshme për titullin kampion bote në peshën e rëndë, në kategorinë WBC.
Përballja do të zhvillohet në Duseldorf, në një ditë të veçantë për shqiptarët, pasi është Dita e Pavarësisë. “E kam thënë dhe e përsëris, dua t’u jap shqiptarëve diçka të veçantë në këtë ditë të shënuar për ne”, tha Hysa.
“Agit, nëse nuk beson në fitoren time, ke nevojë të besosh sepse gjithçka është e mundur në jetë dhe në boks. Nuk kam ardhur këtu në këtë përballje për të bërë shaka. Kam qenë disa herë në rolin e të nënvlerësuarit. Tani jam favorit dhe nuk ka presion”, tha Hysa, 25 fitore e asnjë humbje në karrierë.
“Kam ardhur këtu për të fituar, jam përgatitur për të fituar dhe do të fitoj. Kam ardhur këtu për të marrë atë që është e imja. Ai është një boksier i madh, është një boksier i mirë, por kjo nuk do të thotë se unë nuk do ta mund”, tha Hysa, që në një moment mori edhe gjerdanin e kampionit që ndodhej në vendin ku ulej Kabayel.
Boksieri shqiptar është i bindur në fitoren dhe bën planin edhe për revanshin mes tyre: “Jemi plotësisht të përgatitur dhe shpresojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Pasi të fitojmë këtë sfidë, revanshin do të zhvillojmë në Shqipëri. Prandaj, do t’ju ftoj të gjithëve të vini në Shqipëri dhe të shihni sa e bukur është”.







