Klimë tensioni në fushën neutrale të “Batumi Stadium”, në Gjeorgji, ku u luajt ndeshja e Europa League-s mes Besiktas-it dhe Hapoel Be’er Sheva. Në minutën e 25-të ndeshja u ndërpre për shkak të rendit publik. Policia gjeorgjiane ndërhyri në shkallët e stadiumit ku ishin vendosur tifozët turq, duke hedhur gas lotsjellës.
Para nisjes së lojës, disa ultras të Besiktas shpalosën flamurin e Palestinës, duke e drejtuar nga sektori ku ndodheshin tifozët e Hapoel. Një tifoz i Besiktas u transportua me barelë jashtë stadiumit. Pas më shumë se 30 minutash ndeshja rinisi, por ngjarja ka shkaktuar indinjatë të thellë në Turqi, ku federata dhe klubet e tjera kanë reaguar.

Dënojmë fort qëndrimin e forcave të rendit për përdorimin e forcës kundër tifozëve tanë, shkruan klubi i Besiktas në një komunikatë zyrtare. U urojmë shërim të shpejtë tifozëve tanë që janë dëmtuar!
Mësova se disa tifozë tanët kanë shkuar në spital, iu uroj shërim të shpejtë, tha trajneri i Besiktas-it, Vincenzo Italiano. Më vjen keq! Flas në emrin tim, të lojtarëve dhe klubit. Kemi një tifozëri të jashtëzakonshme.
Zyrtarisht kanë reaguar edhe klubet e tjera të Turqisë.
Nuk pranojmë që skuadrave turke t’u mohohet e drejta të luajnë në shtëpi ndeshjet, para tifozëve të tyre, kur përballë janë kundërshtarë nga Izraeli. I konsiderojmë të papranueshme vendimet e UEFA-s. Dënojmë sjelljen e forcave të rendit në Gjeorgji ndaj tifozëve të Besiktas-it, shkruan klubi i Trabzonspor-it në një komunikatë.
Ngjarjen në Gjeorgji e ka dënuar edhe Federata Turke (Tff). Në një qëndrim, flet për “sjellje të papranueshme brenda dhe jashtë stadiumit”.
Asnjë praktikë që injoron vlerat universale të sportit, dinjitetin njerëzor, respektin reciprok e principet e fair play-t, nuk mund të pranohet. Nuk mund të qëndrojmë në heshtje ndaj sjelljeve të tilla. Do të kërkojmë të hidhet dritë mbi gjithçka që ndodhi për të identifikuar përgjegjësit dhe për të dhënë dënimin e merituar. Do të ndërmarrin hapat e nevojshëm, duke iu drejtuar UEFA-s, që përgjegjësit të japin llogari për atë që kanë bërë.
Solidaritetin me tifozët e Besiktas-it e ka shprehur edhe klubi rival i Fenerbahces, që dënon dhunën ndaj qytetarëve turq.