SHBA po ushtron presion ndaj Venezuelës dhe Irakut për të shqyrtuar largimin nga OPEC

SHBA po ushtron presion ndaj Venezuelës dhe Irakut për të shqyrtuar largimin nga OPEC

09:12, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Administrata e Donald Trump po ushtron presion ndaj Venezuelës dhe Irakut për të shqyrtuar largimin nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), sipas agjencisë së lajmeve Reuters, e cila citon disa burime.

Sipas medias, Uashingtoni shkoi edhe më tej duke penguar Venezuelën të paguante kuotën vjetore të anëtarësimit në OPEC, me argumentin se këto fonde mund të përdoreshin për nevoja më të rëndësishme të vendit. Presioni amerikan lidhej me synimin për të rritur prodhimin dhe investimet në sektorin e naftës, pa u kufizuar nga kuotat e prodhimit të vendosura nga organizata.

Në rastin e Venezuelës, ndërhyrja e princit saudit Mohammed bin Salman thuhet se ndikoi që administrata Trump të mos e shtynte më tej çështjen e largimit.

Ndërsa në Irak, kryeministri Ali Faleh al-Zaidi e ngriti mundësinë e largimit nga OPEC-u në një mbledhje qeveritare, pas bisedimeve me zyrtarë amerikanë. Megjithatë, Ministria e Naftës e Irakut kundërshtoi këtë ide dhe propozoi që vendi të qëndronte në organizatë, duke kërkuar në vend të kësaj një kuotë më të lartë prodhimi.

Zhvillimet vijnë në një periudhë kur OPEC-u po përballet me sfida të reja dhe me largimin e disa anëtarëve gjatë viteve të fundit. Sipas analistëve, presioni amerikan mund të shtojë përçarjet brenda organizatës, e cila synon të koordinojë prodhimin dhe të ndikojë në tregun global të naftës.

SHBA-ja ka një ndikim të konsiderueshëm financiar mbi të dyja vendet: kontrollon përdorimin e fondeve shtetërore venezueliane pas largimit të Nicolas Maduros, ndërsa të ardhurat nga nafta irakiane vazhdojnë të kalojnë përmes një llogarie në Bankën Federale të Rezervës në Nju Jork.

Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Shtetit ka mohuar se bisedimet e nivelit të lartë me Irakun kanë pasur në fokus largimin nga OPEC-u, duke deklaruar se diskutimet janë përqendruar te përmirësimi i infrastrukturës energjetike. Për Venezuelën, zyrtarët amerikanë kanë pranuar se çështja mund të jetë ngritur nga përfaqësues të niveleve më të ulëta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco