Adoleshentja nga Pensilvania mund të bëhet shenjtorja e parë e Gjeneratës Z

Adoleshentja nga Pensilvania mund të bëhet shenjtorja e parë e Gjeneratës Z

09:12, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjashtë vjet pas vdekjes, në moshën 18-vjeçare, Maria Middleton, me origjinë nga qarku i Baksitnë Pensilvani, ka hedhur hapin e parë drejt mundësisë për t'u shpallur shenjtore nga Kisha Katolike.

Konferenca e Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së votoi javën e kaluar për të çuar përpara procesin e lumturimit dhe kanonizimit të Middleton-it, pas një kërkese të paraqitur nga kryeipeshkvi i Filadelfias, Nelson Perez. Në kërkesë vihej në dukje besimi i saj gjatë betejës me një tumor të paoperueshëm në tru.

Prindërit e saj, Susan dhe Brian Middleton, thanë se ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë mund të nënkuptojë ky zhvillim.

“Është sikur po jetojmë diku mes qiellit dhe tokës”, tha Brian Middleton.

“Të bëhesh shenjtor është e mundur. Zoti na ka krijuar që të bëhemi shenjtorë”, tha Susan Middleton.

Maria Middleton lindi në vitin 2002 dhe u rrit në qarkun e Baksit. I pëlqente të kërcente, dëgjonte Taylor Swift-in, i donte kafshët shtëpiake dhe kënaqej duke bërë shaka.

Prindërit e saj e përshkruanin si një adoleshente të zakonshme, por me një besim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj virtytit.

“Thënia jonë e preferuar e Marisë është: ‘Nuk ke pse të jesh e çuditshme për të qenë e shenjtë’”, tha Brian Middleton. “Ajo ishte krejtësisht normale në çdo aspekt, por kishte një besim të jashtëzakonshëm dhe përpiqej vazhdimisht të jetonte sipas virtytit.”

Middleton u diagnostikua me një tumor të paoperueshëm në tru kur ishte 16 vjeçe.

“Ishte shkatërruese. Një makth. Një situatë pa rrugëdalje”, tha Susan Middleton.

Familja iu drejtua lutjeve dhe shumë shpejt njerëz nga e gjithë bota nisën të luteshin për Marian. Pavarësisht sëmundjes, ajo arriti të merrte pjesë në një udhëtim misionar në Ugandë.

Middleton ndërroi jetë në tetor të vitit 2020. Që atëherë, njerëz nga vende të ndryshme të botës kanë vizituar varrin e saj në Shenjtëroren e Zojës së Çestohovës.

Prindërit zbuluan gjithashtu një koleksion shkrimesh të saj, ku ajo kishte hedhur në letër besimin e vet.

“Donim të dinim se cila ishte gjëja e fundit që ajo kishte arritur të shkruante fizikisht, duke mbajtur një stilolaps. Dhe ajo na la fjalët: ‘Mendo me shpresë’”, tha Susan Middleton.

Mendo me shpresë është tashmë titulli i një libri kushtuar Marisë.

Në kishat e zonës janë vendosur njoftime ku u kërkohet personave që kanë informacione për Marian të paraqiten, ndërsa po përgatitet nisja zyrtare e hetimit kishtar.

Avancimi i procesit për shpalljen shenjtore të Middleton-it është vetëm hapi i parë. Vatikani duhet të japë miratimin për procedurën, para se të shqyrtohen shkrimet e saj. Më pas, duhet që asaj t'i atribuohen dy mrekulli.

Nëse shpallet shenjtore, Middleton do të bëhej shenjtorja e katërt e lindur në Shtetet e Bashkuara dhe e para nga Gjenerata Z. /ABC News – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco