Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik, me menaxhmentin e saj që njoftoi pezullimin e platformës AFP Forum, përmes së cilës abonentët e saj fitojnë akses në materialin gazetaresk të agjencisë.
Sipas një emaili të brendshëm të dërguar nga menaxhmenti i AFP të enjten, sulmi filloi dje në orën 1:30 të mëngjesit sipas orës së Parisit, duke synuar platformën e përdorur nga klientët e agjencisë për të kërkuar dhe shkarkuar përmbajtje.
“Sapo u zbulua ndërhyrja, ekipet tona u mobilizuan menjëherë për ta përmbajtur atë dhe e hoqën AFP Forum nga lidhja si masë paraprake. AFP Forum mbetet i padisponueshëm deri në njoftim të mëtejshëm”, thuhej në mesazh.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve me seli në Paris po u ofron alternativa abonentëve të saj ndërsa platforma mbetet jashtë funksionit.
“Një hetim është duke u zhvilluar me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Në këtë fazë, nuk kemi informacion se kush qëndron pas sulmit”, shtoi menaxhmenti i AFP.
Vala e sulmeve kibernetike në Evropë
Sulmi kibernetik ndaj Agence France-Presse i shtohet një serie incidentesh që kanë ndodhur muajt e fundit duke synuar bizneset dhe organizatat publike në Francë dhe vende të tjera evropiane.
Kreu i agjencisë franceze të sigurisë kibernetike ka paralajmëruar se vendi po përballet me një nivel “të paparë” të kërcënimeve kibernetike.
Disa nga sulmet i janë atribuar organizatave kriminale që kërkojnë përfitime financiare, ndërsa të tjerat synojnë të shkaktojnë paqëndrueshmëri.

