Protesta mund të sjellë në skenë një, disa, ose asnjë parti të re. E para doli dje me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Një grup studentësh, të rinjsh, profesionistësh dhe përfaqësuesish të diasporës kanë prezantuar nismën për themelimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, duke njoftuar edhe nisjen e procesit të mbledhjes së firmave. Gjatë një deklarate për mediat, përfaqësuesja e studentëve bëri të ditur se nisma synon të ndërtojë një alternativë politike të mbështetur në drejtësi, meritokraci, transparencë dhe përgjegjshmëri. Ajo tha se “Për 180 ditë, mijëra të rinj dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria është e bashkuar. Kjo parti do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”.
Pra partia e parë doli nga studentët. Por numri nuk përcaktohet nga turma në shesh, por nga aftësia e organizatorëve për ta kthyer pakënaqësinë në program, strukturë dhe besim afatgjatë.
Kur protestuesit kanë kërkesa e bindje të ndryshme, rreziku është që secili grup të krijojë partinë e vet. Kështu, energjia e përbashkët shpërndahet në fraksione, ndërsa politika e vjetër fiton kohë. Një parti e re mund të ketë kuptim kur bashkon njerëz rreth objektivave të qarta dhe përfaqësuesve që japin llogari—jo vetëm rreth zemërimit të momentit.
Protesta është sinjal se një pjesë e qytetarëve kërkon ndryshim. Por ndryshimi nuk matet me sa emra regjistrohen si parti. Matet me sa prej tyre arrijnë të dëgjojnë qytetarët edhe pas shuarjes së protestës, të ndërtojnë organizim në gjithë vendin dhe të ofrojnë zgjidhje të besueshme.
Pra, pyetja kryesore nuk është sa parti mund të dalin nga protesta, por nëse prej saj do të lindë një forcë që bashkon pakënaqësinë në një alternativë politike të qëndrueshme.
Në fakt daljen e disa partive nga radhët e protestës e paralajmeroi Dritan Goxhaj, njeri prej drejtuesve të Protestës së Flamingove. Ai bashkë me aktivisten kryesore të Protestës, Luçiana Kokaj e thanë në KOHA JONE-DEBAT se “priten 4-5 parti të reja të dalin nga radhët e Protestës, pasi i bashkon për momentin vetëm lufta kundër kryeministrit Rama, porse brenda radhëve në Protestë ka linja të ndryshme politike.
