Shqiptari Nelson Hysa është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij. Më 28 nëntor, në Düsseldorf të Gjermanisë, boksieri shkodran do të ngjitet në ring për t’u përballur me kampionin e pamposhtur Agit Kabayel, në një duel të madh të peshës së rëndë, ku në lojë është titulli i kategorisë ËBC që mbahet nga boksieri gjerman.
Përballja ka marrë një vëmendje të veçantë në mesin e shqiptarëve, pasi Hysa synon të shkruajë historinë në një prej kategorive më prestigjioze të boksit botëror. Për më tepër, sfida zhvillohet në një datë simbolike për shqiptarët, në prag të festimeve të Ditës së Pavarësisë.
Dy boksierët kanë zhvilluar edhe takimin e fundit përballë njëri-tjetrit, duke shkëmbyer mesazhe të qarta përpara përballjes në ring. I bindur në aftësitë e tij, Nelson Hysa nuk e ka fshehur besimin përballë kampionit gjerman.
“Jam përballur me boksierë më të fortë se Kabayel. Këtë e thonë shifrat”, deklaroi shkodrani gjatë konferencës për shtyp.
Hysa vjen në këtë sfidë me një rekord perfekt prej 25 fitoresh dhe asnjë humbjeje. Po ashtu, edhe Kabayel është i pamposhtur në karrierën e tij, me 27 fitore në 27 përballje. Këto statistika premtojnë një duel të fortë mes dy boksierëve që nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes.
Përmes një videoje të publikuar nga stërvitjet, Hysa ka përcjellë edhe mesazhin e tij të fundit përpara kësaj sfide historike.
“Kjo është energjia që ushqen kampionin! Me fuqinë e 8S2. Çdo pikë djerse, çdo raund, çdo goditje më çon një hap më pranë historisë”, shkruan boksieri shqiptar.
Ai thekson se ndihet plotësisht i përgatitur dhe i motivuar për të dhënë maksimumin në ring, duke mbajtur mbi supe krenarinë e vendit të tij.
“Jam i përqendruar, i gatshëm dhe i etur për fitore. Duke mbajtur mbi vete krenarinë e Shqipërisë, forcën e rrënjëve të mia dhe shpirtin e një kombi që nuk tërhiqet kurrë”, shprehet Hysa.
Në Düsseldorf, boksierin shkodran po e shoqërojnë edhe trajnerët Zef Gjoni, Jetmir Kuçi dhe Lazarin Vila, si dhe presidenti i Vllaznia Boks, Mondi Ndou.


