Në vend të futbollit, vëmendjen kryesore e morën përleshjet e ashpra në tribuna, ku u hodhën flakadanë dhe u desh ndërhyrja e forcave speciale të policisë.

Shkak për konfliktin dyshohet të ketë qenë prania e një pjese të tifozëve të Levskit në një tribunë jashtë sektorit të përcaktuar zyrtarisht për mysafirët.

Me vendim të autoriteteve franceze të sigurisë, tifozëve mysafirë u ishin ndarë vetëm 500 bileta.

Përkrahësit e skuadrës bullgare u vendosën në një hapësirë të dedikuar për tifozët vendas dhe mysafirët VIP, gjë që shkaktoi pakënaqësi dhe provokime.

Situata doli shpejt jashtë kontrollit, pasi tifozët e Olimpikut kapërcyen barrierat mbrojtëse dhe u drejtuan drejt tribunës ku ndodheshin përkrahësit e klubit bullgar.

Në “Velodrome” më pas mbretëroi kaosi.

Flakadanë u hodhën nga të dyja palët, pati përleshje fizike mes tifozëve, ndërsa në mesin e të lënduarve kishte edhe gra.

Forcat e sigurisë dhe njësitë speciale të policisë u detyruan të ndërhynin urgjentisht për të ndarë grupet e përfshira në konflikt dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Incidentet tërhoqën vëmendje të madhe publike, ndërsa është ngritur edhe çështja e përgjegjësisë së klubit vendas për mangësitë e mundshme në sigurinë e stadiumit.