Nga Eduard Zaloshnja
Në emisionin Top Story në Top Channel, prezantova mbrëmë një ekstrapolim statistikor të përafërt të sondazhit që drejtova ditët e fundit në Bashkinë Tiranë. Si pikënisje për ekstrapolimin përdora shifrën e përafërt 500 mijë të INSTAT-it për numrin e banorëve të rritur aktualisht në territorin e Bashkisë Tiranë (nga Rinasi deri në Krrabë dhe nga Shëngjergji deri në Ndroq).
Nga ekstrapolimi i përafërt i të dhënave të sondazheve rezultoi se, ndër 500 mijë banorët e rritur të sotëm, rreth 160 mijë kishin votuar më 2023 për kandidatin socialist, rreth 101 mijë për kandidatin demokrat, rreth 39 mijë për kandidatët e tjerë, dhe rreth 200 mijë nuk kishin votuar fare (shihni grafikun e mëposhtëm).
Po këto shifra ndryshojnë shumë, në qoftë se zhvillohen sot zgjedhje bashkiake në Tiranë. Kështu, për kandidatin socialist do të votonin sot rreth 145 mijë banorë të rritur (rreth 15 mijë më pak se më 2023), për kandidatin demokrat do të votonin rreth 95 mijë (rreth 6 mijë më pak se më 2023), për një kandidat tjetër do të votonin rreth 165 mijë (rreth 126 mijë më shumë se më 2023), dhe rreth 95 mijë nuk do të votonin fare (rreth 105 mijë më pak se më 2023).
Kuptohet që këto shifra janë paraprake, pasi ende nuk janë përcaktuar kandidatët. Ato thjesht tregojnë prirjen e përafërt të votimin për banorët e rritur të Bashkisë Tiranë. Kur të përcaktohen kandidatët, mund të llogariten shifra më precize.

