Sot përfundon afati për dorëzimin e njoftimit për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan nga Gjykata Speciale në Hagë. Mbrojtja e tyre ka paralajmëruar kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, duke i cilësuar dënimet e dhëna si të padrejta.
Sipas procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas njoftimit për apel, palët duhet të dorëzojnë argumentet e tyre brenda afateve të përcaktuara. Për procesin e apelimit parashikohet një afat prej 60 ditësh për dorëzimin e dosjes së apelit kur apelohet aktgjykimi në tërësi. Kur kundërshtohet vetëm masa e dënimit, afati për paraqitjen e apelit është 30 ditë. Këto afate janë pjesë e procedurave që përcaktojnë hapat e mëtejshëm në sistemin e apelimit pranë Dhomave të Specializuara.
Pas paraqitjes së apelit fillestar, palët kanë mundësi të dorëzojnë përgjigjet dhe kundërpërgjigjet për argumentet e kundërshtarit, duke ndjekur rrjedhën procedurale të parashikuar. Gjykata e Apelit mund, sipas rastit, të vendosë për mbajtjen e një seance dëgjimore ku palët do të kenë mundësinë të paraqesin gojarisht argumentet e tyre para panelit të Apelit.
Paneli i Apelit ka disa mundësi vendimmarrjeje lidhur me çështjen e parashtruar: të lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë, ta shfuqizojë, ose të urdhërojë rigjykimin e çështjes. Këto opsione mbulojnë të gjitha rezultatet që mund të shfaqen pas shqyrtimit të ankimit.
Një parim i rëndësishëm i procedurës është se, në rastet kur apelimi bëhet vetëm nga të dënuarit dhe jo nga ana e akuzës, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë. Ky kufizim procedurial është i paracaktuar nga rregullat e Dhomave të Specializuara dhe ndikon në strategjitë e palëve gjatë procesit të apelimit.
Top Channel
