Një stuhi e fuqishme me reshje rekord shiu dhe erëra të forta ka goditur Nju Jorkun dhe një pjesë të madhe të Bregut Lindor të SHBA-së, duke shkaktuar përmbytje të shumta, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transportin ajror. Reshjet e së enjtes thyen një rekord 20-vjeçar për Ditën e Falënderimeve. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA (NWS), në Central Park u regjistruan 1.82 inç shi, duke e bërë këtë Ditën e Falënderimeve më të lagësht që nga viti 2006, kur u regjistruan 1.72 inç. Kjo ishte gjithashtu sasia më e madhe e reshjeve për këtë datë në park që nga viti 1870.

Situata u përkeqësua edhe nga erërat e fuqishme, të cilat në disa zona arritën shpejtësinë 65 milje në orë. Për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike, guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonën metropolitane, ndërsa u bëri thirrje banorëve të kufizonin lëvizjet. Edhe kryebashkiaku Zohran Mamdani paralajmëroi qytetarët për rreziqet gjatë udhëtimeve në prag të festës. “Nuk ka asnjë destinacion që ia vlen siguria juaj”, deklaroi ai, duke iu referuar erërave të forta dhe rrezikut nga përmbytjet.


Pasojat e stuhisë u ndjenë në disa shtete të Bregut Lindor. Sipas të dhënave të publikuara nga PowerOutage.us, më shumë se 900 mijë banesa dhe biznese mbetën pa energji elektrike të enjten në mbrëmje. Ndërprerjet më të mëdha u regjistruan në Pensilvani, ku mbi 200 mijë familje mbetën pa energji. Në Nju Xhersi u raportuan të paktën 176 mijë prona pa energji elektrike, ndërsa në Merilend rreth 140 mijë. Në shtetin e Nju Jorkut, rreth 72 mijë persona e kaluan festën pa furnizim me energji. Përmbytjet e menjëhershme shkaktuan gjithashtu situata të rrezikshme. Dy banorë të Nju Jorkut u shpëtuan nga automjetet e tyre pasi mbetën të bllokuar nga uji. Probleme të ngjashme u raportuan edhe në komunitete të tjera, nga Karolina e Veriut deri në Nju Xhersi, ku u regjistruan mbyllje rrugësh dhe operacione emergjente shpëtimi.


Moti i keq shkaktoi probleme të konsiderueshme edhe në transportin ajror. Sipas të dhënave të FlightAware, më shumë se 2,200 fluturime drejt dhe nga SHBA-ja pësuan vonesa, ndërsa mbi 400 të tjera u anuluan. Erërat e forta detyruan gjithashtu organizatorët të shtynin për të shtunën Paradën e Ditës së Falënderimeve të Macy’s, një nga aktivitetet më të njohura festive në Nju Jork. Sipas raportimit, kjo është hera e parë në historinë më shumë se një shekullore të paradës që ajo shtyhet për shkak të kushteve atmosferike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb