Barcelona ka nisur të mendojë për përforcimet e merkatos së vitit 2027, ndërsa prioriteti kryesor i drejtuesve katalanas duket se do të jetë repartit defensiv. Trajneri Hansi Flick kërkon të afrojë një qendërmbrojtës me këmbën e majtë, për të rritur alternativat dhe cilësinë në prapavijë.
Sipas raportimit të medias prestigjioze The Athletic, klubi blaugrana ka nisur të analizojë disa emra në tregun e transferimeve, duke e konsideruar përforcimin e mbrojtjes si një nga çështjet më të rëndësishme për projektin e sezonit të ardhshëm.
Gjatë merkatos së fundit verore, Barcelona kishte përqendruar vëmendjen te afrimi i një sulmuesi qendre. Një prej objektivave kryesorë ishte argjentinasi Julián Álvarez, por transferimi i tij nuk u realizua. Ndërkohë, paraqitjet e shkëlqyera të brazilianit Raphinha e kanë zbehur nevojën urgjente për një tjetër përforcim në repartin ofensiv.
Një nga emrat që Barcelona po ndjek prej kohësh është mbrojtësi holandez Rood Nijenstad, i cili aktivizohet te Twente. Klubi katalanas kishte kërkuar informacion për mundësinë e transferimit të tij që në ditët e fundit të merkatos së verës, por kërkesat financiare të klubit holandez u konsideruan tepër të larta për kapacitetet e Barcelonës.
Nijenstad është vetëm 18 vjeç dhe luan në qendër të mbrojtjes, duke përdorur këmbën e majtë. Këtë sezon ai ka regjistruar 21 paraqitje në të gjitha kompeticionet, të gjitha si titullar, ndërsa ka ndihmuar skuadrën të mbajë portën të paprekur në pesë takime. Gjithashtu, ka realizuar edhe dy gola.
Kontrata e tij me Tëenten është e vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa klubi holandez nuk ndodhet nën presion për ta shitur. Tëente po zhvillon një sezon pozitiv dhe aktualisht është vetëm dy pikë larg kryesuesve të PSV Eindhoven në kampionat.
Përveç talentit holandez, Barcelona ka analizuar edhe mundësinë e transferimit të Alessandro Bastonit, mbrojtësit italian të Interit, si dhe francezit Castello Lukeba, i cili luan për RB Leipzig.
Megjithatë, sipas raportimit të The Athletic, Flick nuk e ka miratuar alternativën e Bastonit. Ndërsa për Lukeban, 23 vjeç, ende nuk është e qartë nëse Barcelona do të vazhdojë interesimin për të.
