Aktualitet

Marta Kos: Shqipëria përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes!

Sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Marta Kos tha se Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfituar 185.6 milionë euro në këstin e katërt të pagesave.

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin e dha shifrën gjatë fjalës hapëse ku gjithashtu vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe të tjera vendeve të rajonit në zbatimin e reformave, por theksoi se rezultatet mes tyre janë të ndryshme e se jo të gjitha shtetet kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga plani.

Ky është një moment i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë së bashku, për pak do të hyjmë në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky plan u përpilua për të mbështetur reforma të rëndësishme, nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë tuaja.

Kos vuri në dukje se deri më tani, tre shtete kanë shënuar përparim të mirë në zbatimin e reformave, ndërsa tre të tjera nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara. Sipas zyrtares, këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar edhe në vlerësimet e bëra nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Duke u ndalur te rezultatet konkrete, Kos bëri të ditur se Mali i Zi kryeson me 94% të reformave të zbatuara, çka do t’i mundësojë përfitimin e 81 milionë eurove në raundin e dytë të pagesave.

Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe ju do të merrni 185.6 milionë euro në pagesën e katërt.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka zbatuar 54% të reformave dhe do të përfitojë 79 milionë euro.

Komisionerja theksoi se Plani i Rritjes është ndërtuar mbi parimin e rezultateve konkrete, ku përmbushja e reformave shoqërohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ky Plan i Rritjes kishte për synim rezultatet dhe arritjet e tyre dhe kur të arriheshin këto rezultate, të ofroheshin fonde të tjera.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.