Policia e Fierit ka finalizuar tre faza të operacionit të koduar “Siguria”, në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive të paligjshme në fushën e narkotikëve. Si rezultat janë arrestuar katër shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, 2 maska silikoni dhe një përforcues grushti.
Faza e parë në Fier: është arrestuar në flagrancë një 42-vjeçar, me inicialet S. M., që sipas Policisë qarkullonte me lëndë narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit atij i janë gjetur dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për kryerjen e veprimtarive kriminale.
Faza e dytë, gjithashtu në Fier: u arrestuan dy shtetas, Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç, babë e bir. Në kontrollin e banesës së tyre Policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Faza e tretë në Lushnjë: u arrestua shtetasi M. B., ndërsa babai i tij, L. B., 32 vjeç, u shpall në kërkim. Pas një hetimi disa javor, Policia kontrolloi banesën e tyre dhe gjeti dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët e sekuestruara në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Të gjitha armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme. Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
