E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Policia akson në Fier e Lushnje, 4 të arrestuar, sekuestrohen 6 armë zjarri dhe maska silikoni
Lajme

Policia akson në Fier e Lushnje, 4 të arrestuar, sekuestrohen 6 armë zjarri dhe maska silikoni

Policia ka finalizuar tre faza të operacionit të koduar “Siguria”, të zhvilluar në Fier dhe Lushnjë, ku janë zbuluar armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike dhe mjete të dyshuara se mund të përdoreshin për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve të zhvilluara nga uniformat blu, katër persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë operacionit janë sekuestruar gjashtë armë zjarri, konkretisht katër armë automatike dhe pistoleta, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe një dorezë metalike përforcuese grushti.

Operacioni u zhvillua në tri faza, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin e personave që mbajnë armë pa leje dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e narkotikëve.

Faza e parë në Fier, 42-vjeçari me kokainë dhe dy maska silikoni

Në fazën e parë të operacionit, në qytetin e Fierit u arrestua në flagrancë një 42-vjeçar me inicialet S. M.

Sipas Policisë, ai u konstatua duke qarkulluar me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, efektivët gjetën edhe dy maska silikoni, për të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në kryerjen e veprimtarive kriminale.

Faza e dytë, arrestohen babë e bir, gjenden kallashnikov dhe pistoletë

Në vijim të kontrolleve në Fier, Policia arrestoi dy persona të tjerë, konkretisht Z. T., 60 vjeç, dhe djalin e tij, E. T., 25 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, uniformat blu zbuluan një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike përforcuese grushti.

Të gjitha këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy personat u vunë në pranga.

Faza e tretë në Lushnjë, dy kallashnikovë në banesë, babai shpallet në kërkim

Ndërhyrja e tretë u zhvillua në Lushnjë, ku u arrestua shtetasi M. B., ndërsa babai i tij, L. B., 32 vjeç, u shpall në kërkim policor.

Pas një hetimi disa javor, Policia ushtroi kontroll në banesën e tyre, ku zbuloi dhe sekuestroi dy armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një armë gjahu.

Një element që e bën më të rëndësishëm këtë zbulim është dyshimi i hetuesve se armët e gjetura në banesën në Lushnjë mund të jenë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më herët.

Për këtë arsye, të gjitha armët e sekuestruara gjatë tri fazave të operacionit “Siguria” do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Ndërkohë, Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale për rastet e konstatuara i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.