Vendosni fjalën kyçe....

Marta Kos: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave, përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes



Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e reformave në Shqipëri, gjatë samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Kos deklaroi se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të kërkuara dhe, si rezultat, do të përfitojë 185.6 milionë euro në kuadër të pagesës së katërt të Planit të Rritjes.

Komisionerja vlerësoi edhe progresin e Malit të Zi, i cili ka përmbushur 94% të reformave, ndërsa Maqedonia e Veriut ka realizuar 56% të tyre dhe pritet të përfitojë 70.9 milionë euro.

Ajo theksoi se shpërndarja e fondeve do të bëhet në bazë të performancës së secilit vend dhe zbatimit të reformave.

“Plani i Rritjes është hartuar për të ndihmuar ekonomikisht vendet e rajonit. Tre shtete kanë bërë përparim të mirë në reforma. Mali i Zi ka vënë në zbatim 94% të tyre, që është mbresëlënëse. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro”, deklaroi Kos.

Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi vendet për rezultatet e arritura, duke theksuar se përfitimet financiare janë rezultat i reformave të ndërmarra.

Ajo foli edhe për situatën në vendet e tjera të rajonit, duke përmendur Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas saj, qeveria e mëparshme serbe nuk kishte përfituar mbështetje për shkak të qasjes së saj, ndërsa me qeverinë e re kanë nisur bisedimet.

Sa i përket Kosovës, Kos u shpreh se qeveria e re ka mundësinë të zbatojë reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Ajo njoftoi gjithashtu se do të vizitojë Prishtinën.

“Qeveria e re në Kosovë ka mundësinë të arrijë reformat që dëshiron Bashkimi Europian. Do të jem në Prishtinë dhe mezi pres këtë vizitë. Edhe Bosnjë-Hercegovina duhet të zbatojë reforma të rëndësishme”, u shpreh komisionerja.