Në Tiranë po mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, ku në fokus është ecuria e reformave dhe procesi i integrimit europian të vendeve të rajonit.
Në fjalën hapëse, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për Bashkimin Europian.
“Është kënaqësi e madhe që gjendemi këtu, në mbyllje të ditëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Nisëm nga Brukseli, ku morëm pjesë në Samitin e përvitshëm. Nuk ka asnjë dyshim që ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Është moment i rëndësishëm edhe për Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Bashkimi Europian nuk duhet të presë anëtarësimin e vendeve të rajonit për të thelluar mbështetjen dhe bashkëpunimin me to.
“BE-ja nuk mund të presë deri në anëtarësimin tonë për të bërë më shumë për rajonin. Konvergjenca mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor po rritet”, deklaroi kryeministri.
Rama nënvizoi gjithashtu se vendet e rajonit duhet të përfitojnë nga procesi i afrimit me BE-në edhe përpara anëtarësimit.
“Nuk duhet të presim integrimin për të përfituar, por përfitimet nuk i marrim si të mirëqena”, theksoi Rama.