Numri i aksidenteve rrugore në vend u rrit me 4.3% në dhjetë muajt e parë të vitit. Tirana dhe Durrësi regjistruan shtimin më të madh të ture e të personave të vrarë dhe të plagosur në krahasim me një vit më parë.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-tetor, në vend u regjistruan 1,193 aksidente rrugore, nga 1,144 në të njëjtën periudhë të 2025-ës. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1,639, me rritje vjetore prej 2.1%.
Pothuajse 48% e aksidenteve rrugore në shkallë vendi u përqendruan në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, nga 37% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Durrës, u rrit me 75.3%, duke arritur në 135, nga 77 një vit më parë. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur u shtua me 51.7%, duke arritur në 182.
Në Tiranë, aksidentet u rritën me 25.7%, në 435 raste, ndërsa numri i të aksidentuarve arriti në 529, nga 433 në dhjetëmujorin e vitit të kaluar.
Rritje të numrit të aksidenteve shënuan edhe qarqet e Gjirokastrës, Kukësit, Vlorës e Fierit.
Në të kundërt, Shkodra regjistroi rënie prej 43.8%, ndërsa ulje të ndjeshme pati edhe në Berat e Dibër. Vetëm gjatë muajit tetor u regjistruan 103 aksidente rrugore, me rënie prej 11.2% në bazë vjetore. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra me 20.1%, në 131.
Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve mbetet shkaku dominues i aksidenteve.
Sipas INSTAT-it, 89.3% e aksidenteve të regjistruara në tetor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 24.3% të totalit.
Orët e mbrëmjes, nga 19:00 deri në mesnatë, përqendruan 26.2% të aksidenteve të muajit tetor.
E mërkura dhe e premtja ishin ditët me numrin më të lartë të rasteve, me nga 18.4% të totalit.
INSTAT-i nënvizon se publikimet e tij bazohen në të dhënat e Policisë së Shtetit dhe përfshijnë aksidentet që kanë rezultuar në të paktën një person të plagosur ose të vrarë. Të dhënat janë paraprake dhe subjekt përditësimi.