Sport

Tirana pret sot Skënderbeun, në mbrëmje derbi Dinamo-Partizani!

Java e 13-të e kampionatit nis më 13:30 në “Selman Stërmasi”, ndërsa në orën 18:30 zhvillohet sfida mes dy skuadrave kryeqytetase në “Elbasan Arena”.

Pas emocioneve që dhuroi mbrëmë Egnatia në Conferencë League, me fitoren e parë në fazën e ligës, futbolli elitar shqiptar vazhdon sot me dy nga ndeshjet e javës së 13-të të Abissnet Superiores.

Java hapet me ndeshjen Tirana-Skënderbeu, që luhet në orën 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Me shumë luhatje dhe në mesin e tabelës me 16 pikë, bardheblutë kanë një mundësi të mirë për të bërë një hap të rëndësishëm përpara. Skënderbeu vjen në një moment shumë të mirë, pasi nuk njeh humbje javët e fundit. Pritet të jetë një përballje e luftuar.

E tillë parashikohet edhe sfida mes Dinamos e Partizanit, më 18:30 në “Elbasan Arena”. Jo vetëm për faktin se është një derbi, mbi të gjitha sepse të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë.

Dinamo po kalon një krizë rezultatesh, 2 humbje dhe 2 barazime në javët e fundit, që është reflektuar edhe në tabelën e renditjes.

Blutë nuk do të kenë përsëri trajnerin Ilir Daja, i dënuar me 5 ndeshje nga Disiplina dhe që nuk mund ta shlyejë gjysmën e dytë të dënimit me pagesë. Alhasan khehet nga skualifikimi, ndërsa Qardaku mungon për shkak dëmtimi.

Në anën tjetër, Partizani kërkon të largohet nga vendi i fundit në tabelë dhe nuk ka çfarë të humbasë. Të kuqtë vijnë pas humbjes me Vllazninë dhe me rikthimin e disa lojtarëve të rëndësishëm pritet të reagojnë në ndeshjen e sotme.

Derbi nuk ka asnjëherë favoritë dhe në sfidën e sotme, ndalohet humbja.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.