Begaj takon Presidenten e Kosovës në Ohër: Mbështesim statusin kandidat në BE dhe hapat ligjorë për Hagën

Politikë | 1 minutë më parë

Presidenti Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me homologen e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në Ohër, në kuadër të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit.

Gjatë takimit, Begaj e uroi Shiroka-Pulën për detyrën e re, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në procesin e integrimit evropian, njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kreu i Shtetit theksoi se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimin e takimeve më të shpeshta mes dy vendeve. Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, ku anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga objektivat kryesorë.

Sa i përket integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, ndërsa siguroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Kosovës për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përafrimin me politikat e BE-së. Gjatë takimit u diskutua edhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Begaj rikonfirmoi se çështja e njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap mbetet pjesë e agjendës së tij në takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ai rikujtoi gjithashtu se që në takimin e tij të parë në selinë e NATO-s, si President i Republikës, kishte kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Aleancë.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte procesi gjyqësor në Hagë. Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara dhe konsultimin me partnerët ndërkombëtarë. Ai rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, që merr në konsideratë edhe kontekstin historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.

Në përfundim, Begaj theksoi rëndësinë e promovimit të çështjeve që bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi dhe përfaqësimi i përbashkët në arenën ndërkombëtare do të ndihmojnë në avancimin e aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme