U vendos si kërcënim? Ndërtuesi në Shkodër gjen tritol në derën e shtëpisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.11.2026, 11:11

Një sasi e dyshuar lënde plasëse, e cila dyshohet të jetë tritol, është konstatuar mbrëmjen e së enjtes në hyrje të banesës së një ndërtuesi në Shkodër. Lënda plasëse është gjetur në portën e jashtme të banesës së Emiljan Gjonajt, në lagjen “Mark Lula”, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer.

Pas njoftimit për rastin, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë izoluar zonën dhe kanë marrë masat për garantimin e sigurisë. Për trajtimin e lëndës plasëse janë thirrur edhe specialistët xhenierë, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar rrezikun.

Emiljan Gjonaj, sipas informacioneve paraprake, ushtron aktivitet në sektorin e ndërtimit dhe aktualisht po ndërton një pallat në lagjen “Mark Lula”. Pikërisht aktiviteti i tij në këtë fushë është një prej pistave ku po përqendrohen hetimet, për të kuptuar nëse vendosja e tritolit ka lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm për çështje ndërtimi.

Dyshimet paraprake janë se lënda plasëse mund të jetë vendosur me qëllim intimidimin dhe kërcënimin e Gjonajt. Megjithatë, ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij veprimi dhe cilat kanë qenë motivet konkrete.

Grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave, verifikimin e kamerave të sigurisë në zonë dhe identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Deri më tani, autorët mbeten të paidentifikuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit