Aksidentet rrugore në rritje, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për përkeqësimin e sigurisë
Numri i aksidenteve rrugore në vend u rrit me 4.3% në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, ndërsa Tirana dhe Durrësi regjistruan shtimin më të madh në numër të aksidenteve dhe të personave të vrarë e të plagosur në krahasim me një vit më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-tetor në vend u regjistruan 1,193 aksidente rrugore, nga 1,144 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1,639, me një rritje vjetore prej 2.1%.
Pothuajse 48% e aksidenteve rrugore në shkallë vendi u përqendruan në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, nga 37% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Durrës, numri i aksidenteve u rrit me 75.3%, duke arritur në 135, nga 77 një vit më parë. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur u shtua me 51.7%, duke arritur në 182. Në Tiranë, aksidentet u rritën me 25.7%, në 435 raste, ndërsa numri i të aksidentuarve arriti në 529, nga 433 në dhjetëmujorin e vitit të kaluar.
Rritje të numrit të aksidenteve shënuan gjithashtu qarqet e Gjirokastrës, Kukësit, Vlorës dhe Fierit. Në të kundërt, Shkodra regjistroi një rënie prej 43.8%, ndërsa ulje të ndjeshme pati edhe në Berat dhe Dibër. Vetëm gjatë muajit tetor u regjistruan 103 aksidente rrugore, me një rënie prej 11.2% në bazë vjetore. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra me 20.1%, në 131.
Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve mbetet shkaku dominues i aksidenteve. Sipas INSTAT, 89.3% e aksidenteve të regjistruara në tetor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 24.3% të totalit. Orët e mbrëmjes, nga 19:00 deri në mesnatë, përqendruan 26.2% të aksidenteve të muajit tetor. E mërkura dhe e premtja ishin ditët me numrin më të lartë të rasteve, me nga 18.4% të totalit. INSTAT nënvizon se të publikimet e tij bazohen në të dhënat e Policisë së Shtetit dhe përfshijnë aksidentet që kanë rezultuar në të paktën një person të plagosur ose të vrarë. Të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









