I akuzuar për grabitjen e rezidencës së Princit William dhe Kate, shqiptari dyshohet se hyri ilegalisht në Britani të paktën tri herë
Një nga dy shqiptarët e akuzuar për hyrjen me forcë në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Anglisë, dyshohet se ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit. Sipas raportimeve të mediave britanike, Arilen Ndoci, 32 vjeç, ka mbërritur në Britani me gomone përmes Kanalit të La Manshit, ndërsa në një rast tjetër dyshohet se ka udhëtuar me avion.
Ndoci dhe 34-vjeçari Mirgen Doku akuzohen për grabitjen e rezidencës Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham, ku dyshohet se kanë marrë gjashtë palë mansheta dhe një orë nga banesa e çiftit princëror.
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, të dy janë shtetas shqiptarë që ndodhen në vend pa dokumentacion të vlefshëm dhe pa leje qëndrimi. Autoritetet pretendojnë se hyrja e tyre e fundit në Britani ka ndodhur rreth gjashtë muaj përpara grabitjes së dyshuar.
Policia u njoftua pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për lëvizje të dyshimta në ambientet e rezidencës. Dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të pronës.
Në momentin e ngjarjes, Princi William, Princesha Catherine dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në banesën e tyre kryesore në Windsor, jo në rezidencën e Norfolkut.
Të dy shqiptarët dolën të enjten përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku u përballën me akuzat për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paligjshme në një zonë të mbrojtur. Në dosjen gjyqësore thuhet se ata janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë ilegalisht në territorin britanik. Një person i tretë, i dyshuar për përfshirje në ngjarje, vijon të jetë në kërkim.
Sipas gazetës The Sun, Ndoci ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit.
Prokurori John Cooper deklaroi në seancë se të dyshuarit dyshohet se kanë hyrë në pronë duke u ngjitur përgjatë një tubi kullimi dhe më pas kanë depërtuar në një dhomë zhveshjeje.
Pamjet e regjistruara nga dronët e policisë thuhet se i kanë fiksuar dy personat në një zonë pyjore në veri të rezidencës. Sipas prokurorit, rreth orës 19:13, në pyll janë hedhur sende që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjes, përfshirë mjete për hapjen e dyerve.
“U gjetën sende që lidhen me kryerjen e një vjedhjeje”, deklaroi Cooper përpara gjykatës.
Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu dëmtime në kornizën e një dritareje të jashtme, përmes së cilës dyshohet se autorët kanë hyrë në një kat të ndërtesës ku ndodhej dhoma e zhveshjes. Prokuroria pretendon se brenda banesës është kryer një kontroll i çrregullt në kërkim të sendeve me vlerë.
Kur u arrestuan, të dyshuarit nuk kishin këpucë në këmbë. Ata komunikuan në gjykatë vetëm për të konfirmuar identitetin dhe datëlindjet e tyre, ndërsa u asistuan nga një përkthyes i gjuhës shqipe përmes lidhjes me video. Gjykata u informua se Ndoci flet mirë anglisht.
Të dy u lanë në paraburgim dhe do të paraqiten sërish përpara së njëjtës gjykatë më 30 nëntor.
Ministria e Brendshme britanike bëri të ditur se do të kërkojë largimin nga vendi të shtetasve të huaj që kryejnë vepra penale, në rastin e parë të mundshëm.
Ndërkohë, Pallati Kensington nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjet e sigurisë, por ka konfirmuar se asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ndodhej në rezidencë gjatë incidentit.
Anmer Hall dhe lidhja me familjen mbretërore
Rezidenca dhjetëdhomëshe Anmer Hall iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II si dhuratë për martesën e tyre në vitin 2011.
E konsideruar si një nga vendet e preferuara të pushimit për çiftin, banesa në Norfolk është përdorur shpesh për fundjavat dhe pushimet familjare.
Ajo ka pasur gjithashtu një rëndësi të veçantë për Princeshën Kate gjatë betejës së saj me kancerin. Sipas raportimeve, Anmer Hall ishte kthyer në një strehë personale për të gjatë asaj periudhe. Pikërisht në këtë rezidencë ajo regjistroi edhe videon personale përmes së cilës njoftoi përfundimin e trajtimit me kimioterapi.
Ndërtesa është ndërtuar në vitin 1802 dhe është blerë nga Mbretëresha Victoria në vitin 1862. William dhe Kate filluan ta përdornin rregullisht pas përfundimit të një rikonstruksioni me vlerë 1.5 milionë paund në vitin 2014.
Megjithatë, vizitat e tyre janë bërë më të rralla pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II dhe vendosjes në Adelaide Cottage, në ambientet e Kështjellës Windsor, si rezidencën e tyre kryesore.
“Nuk e tradhtova vendin tim”, letra e De Gennaros: Pas pak minutash s’do të jem më. Një i dënuar me vdekje nuk mund të gënjejë
Aksident masiv në Zvicër, përplasen 37 automjete! 6 të plagosur
Sulmi kibernetik preku 11,000 persona, Danimarka arreston një 18-vjeçar
- 11:17 Veliaj emëron Halit Valterin në krye të IMT-së
- 11:08 Moti i keq në SHBA, kamioni për pak sa nuk bie nga një urë! Shpëton shoferi (VIDEO)
- 11:03 Pakistani pret Arabinë Saudite dhe Turqinë në Islamabad, në fokus pakti i mbrojtjes kundër sulmeve të Huthëve
- 10:54 Hapen arkivat! Pse Ismail Qemali u vendos në krye të lëvizjes që krijoi shtetin shqiptar?
- 10:52 Marta Kos: Shqipëria ka vënë në zbatim 80% të reformave, përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes
- 10:48 Rama falënderon Marta Kos: Ka qenë një zë i fortë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në