Adriatik Lapaj kreu i “Shqipëria Bëhet” dhe përfaqësues të partisë së tij kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 107 mijë firma të qytetarëve, të cilët sipas tij kërkojnë referendum për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe Investimeve Strategjike.

Lapaj tha se firmat përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve për të vendosur drejtpërdrejt përmes referendumit mbi këto dy ligje.

 “Sot po depozitojmë 107 mijë firma të mbledhura nga qytetarët shqiptarët. Janë 107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum për të shfuqizuar paketën e maleve dhe investimeve strategjike. Qytetarët shqiptarë duan që të mbahet një referendum ku ata të ushtrojnë të drejtën kushtetuese dhe të vendosin vetë për vetën e vetë dhe për vendin tonë. Këtu dy ligje janë dëshmi e qartë e hajdutërisë nga klasa që e sundon. Tashmë qytetarët kanë shprehur vullnetin që ne po e depozitojmë në KQZ për të shfuqizuar këto ligje”, tha Lapaj per mediat.

"Është një sakrificë që hap një shteg për ta bërë më pas në të ardhmen autostradë rrugën e referendumeve ku populli të vendosë vetë me vullnetin e tij dhe të marrë vendime për vendin e tij" tha Dorina Prethi.