Autoritetet spanjolle ndërmorën veprime të shpejta të enjten për të kufizuar dëmet e mundshme në ujërat e Mesdheut pasi një anije cisternë, që transportonte deri në 7 000 tonë naftë, u përmbys pranë Ibizës, duke lënë një person të vdekur. Anija "Med Emre", e cila lundronte nën flamurin maltez dhe transportonte produkte kimike, ishte nisur nga porti jugor i Algeciras-it drejt Barcelonës. Ajo pësoi aksidentin në orët e para të së enjtes, në veri të ishullit të njohur turistik, bënë të ditur shërbimet e emergjencës të Ishujve Baleare. Të 17 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan, por njëri prej tyre u konfirmua më vonë i vdekur në spitalin e Ibizës, ndërsa gjashtë të tjerë pësuan "lëndime të lehta", kryesisht hipotermi, njoftuan ekipet e shpëtimit. Sipas kompanisë "Kpler", e cila monitoron të dhënat detare, anija po transportonte rreth 66 000 fuçi me produkte të rafinuara. Burime nga qeveria spanjolle deklaruan se anija ndodhet "e përmbysur, çka tregon se ajo nuk është fundosur ende", duke korrigjuar një deklaratë të mëparshme që fliste për fundosje. Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle tregonin pjesën e poshtme gri të anijes, e cila dukej mbi sipërfaqen e ujit. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Shërbimet e emergjencës të Ishujve Baleare shtuan se një anije dhe një avion i shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, janë dërguar në zonë për të vlerësuar dëmet e mundshme mjedisore. Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se qeveria po e ndjek situatën "nga afër".