Një vit konfirmimesh, emocionesh dhe sigurish të reja. Lionel Scaloni e përmbyll vitin 2026 me kënaqësinë që ka parë ekipin e tij të Argjentinës të ruajë standarde jashtëzakonisht të larta, duke arritur sërish në finalen e Kupës së Botës, ndërkohë që ka nisur një proces rinovimi.
Në mbyllje të këtij viti, trajneri bëri një bilanc të së tashmes dhe së ardhmes së ‘Selección’. “Besoj se ka qenë një vit pozitiv. Kemi luftuar fort dhe kemi arritur në një tjetër finale të Kupës së Botës edhe pse nuk mund të fitosh gjithmonë,” shpjegoi Scaloni gjatë një konference për shtyp.
Trajneri theksoi veçanërisht rritjen e një grupi që di të ruajë identitetin dhe konkurrueshmërinë e tij, madje edhe në momentet më të vështira. Ndër momentet më të rëndësishme të vitit 2026, Scaloni veçoi disa ndeshje të Kupës së Botës, konkretisht përballjet me Egjiptin dhe Anglinë, duke i vënë në dukje.
“Me siguri do t’i mbajmë mend disa ndeshje epike“, tha Scaloni, vëmendja e të cilit është tashmë te e ardhmja. Ai e ka zgjatur kontratën në krye të kombëtares deri në vitin 2030. Ai e vlerësoi brezin e ri të lojtarëve argjentinas.
“Djemtë janë shumë të talentuar, por gjithçka varet nga ekipi. Asnjë lojtar i vetëm nuk mund ta zgjidhë ndeshjen i vetëm. Kjo është një filozofi që pasqyron mentalitetin e kultivuar ndër vite edhe kur luante Lionel Messi. Ai e ka vendosur gjithmonë kolektivin në plan të parë”, u shpreh Scaloni.
Ai foli gjithashtu për marrëdhënien me tifozët, duke shprehur mirënjohjen e tij: “Ata nuk e kanë humbur kurrë dashurinë për kombëtaren. Ne duhet të vazhdojmë të konkurrojmë në nivele të larta, në mënyrë që ata të vazhdojnë të besojnë te ne.”
Sfida për të ardhmen është e qartë: të ruhet niveli i arritur tashmë: “Dëshiroj që të vazhdojmë në këtë rrugë, të mbetemi një ekip pikë referimi, një kundërshtar i vështirë për t’u përballur. Një skuadër e aftë për të gjetur zgjidhje ndaj çdo kundërshtari.”







