QSUT, urgjenca në kufirin e mbingarkesës/Mbi 400 raste në ditë, virozat rëndojnë të moshuarit, shfaqen edhe komplikacione postvirale te të rinjtë
Ulja e ndjeshme e temperaturave dhe qarkullimi I infeksioneve virale përfshirë edhe gripin ka rritur sëmundshmërinë në popullatë gjë që po reflektohet këtë ditë edhe në urgjencën polivalente në QSUT. Çdo dhomë e kësaj urgjence është në kapacitetin e saj maksimal ndërkohe që urgjencat dhe makinat private me të sëmurë nuk rreshtin duke sjellë të sëmurë.
“Urgjenca është e mbushur plot. Ju e patë vetë që urgjenca është plot, veçanërisht gjatë pasdites, me një numër gjithnjë e më të madh pacientësh”, u shpreh Edmond Zajmi, Shef i Urgjencës Polivalente, QSUT.
Shefi i Urgjencës, Edmond Zajmi thotë për RTSH se në ditë të tilla numri fluksi regjistron mbi 400 të sëmurë , ku më shumë se gjysma vijnë nga rrethet
“Numri i rasteve që vijnë nga rrethet, pothuajse në më shumë se 50% të rasteve, janë pacientë që kanë nevojë për shtrim në spital. Mesatarisht kemi rreth 300 raste në ditë, ndërsa në ditë të veçanta kalojmë edhe shifrën e 400 rasteve”, tha ai.
Në shtrime mbizotorëojnë moshat e treta për shkak të ndërlikimeve të patologjive kronike thotë profesori, ndërsa kjo ka rritur presionin në shërbimet e tjera për shkak të ngarkesës së lartë.
“Është shtuar gjithashtu numri i pacientëve të moshës së tretë, të cilët vuajnë nga disa patologji kronike njëkohësisht. Në kushtet e qarkullimit të virozave, këta pacientë pësojnë dekompensim të sëmundjeve ekzistuese. Një infeksion respirator apo një grip mund t’i çojë në gjendje kritike.Aktualisht jemi në një situatë kritike për shkak të ngarkesës së madhe që po përballojmë. Të gjitha specialitetet po punojnë nën presion të shtuar”, theksoi Shef i Urgjencës Polivalente, QSUT.
Por cilat sëmundjet që po dominojnë urgjencën?
“Vazhdojnë të dominojnë patologjitë e sistemit kardiovaskular dhe neurovaskular, por kemi konstatuar edhe një shtim të sëmundjeve të traktit gastrointestinal, veçanërisht të hemorragjive gastrointestinale. Këto raste janë shtuar ndjeshëm, sidomos pas periudhës së COVID-19. Si pasojë, kemi një numër të madh pacientësh që presin për t’u shtruar në shërbimet e Mjekësisë Interne, Gastroenterologjisë dhe Neurologjisë”, tha ai.
Profesor Zajmi thotë se në urgjencë po paraqiten edhe shumë të rinj me komplikacione postvirale. Ai bën apel për të treguar kujdes në çdo simptomë gripale apo sindromë febrile, edhe tek këto mosha dhe të kërkohet vlerësimi mjekësor në kohën e duhur.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



