Përmes një reagimi publik, Pllana ka mohuar se ka bojkotuar ceremoninë, duke thënë se ka qenë i pranishëm dhe i ulur në rreshtin e parë, në kohën kur Prebreza kërkoi dorëheqjen e tij.

Ai ka theksuar se personeli arsimor, nxënësit dhe prindërit e shkollës kanë qenë pjesë kryesore e përgatitjes dhe organizimit të manifestimit, ndonëse organizimi ishte në përgjegjësi të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë t'ju njoftoj se sot më datë 26.11.2026 (e enjte), personeli arsimor i gjimnazit në krye me drejtorin e shkollës, nxënësit e gjimnazit dhe prindër të respektuar ishim pjesa kryesore e përgatitjes dhe organizimit të manifestimit qendror të shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë, përkundër që organizimi ishte nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport”, ka shkruar Pllana.

Sipas tij, shkolla ka kontribuar në programin solemn me moderimin, monologun e një nxënëseje, si dhe me infrastrukturën teknike dhe shkollore.

Pllana ka kundërshtuar edhe kërkesën për masa ndaj mësimdhënësve që nuk ishin të pranishëm në ceremoni, duke thënë se nuk do të ndërmarrë masa ndaj tyre.

“Unë nuk marr masa ndaj mësimdhënësve që nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni. Unë bashkë me stafin tim sot kemi pritur mirënjohje dhe nderim në shtetndërtim. Pjesëmarrja në këtë ngjarje qendrore është një moment reflektimi dhe respekti të thellë për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetndërtimin tonë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Prebreza gjatë ceremonisë kishte kërkuar dorëheqjen e drejtorit dhe vërejtje për personelin, duke e cilësuar mungesën e një pjese të stafit si bojkot të festës kombëtare. Ai më pas kishte kërkuar nga drejtori i Arsimit që të ndërmarrë masa për mungesat që i quajti të paarsyeshme.