Dy shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen për grabitjen e rezidencës së Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Anglisë, dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta britanike Daily Mail, Arilen Ndoci, 32 vjeç, dyshohet se ka udhëtuar drejt Britanisë në disa raste përmes Kanalit Anglez me gomone, ndërsa në një rast tjetër ka përdorur avionin.
Ai dhe 34-vjeçari Mirgen Doku akuzohen për hyrjen me forcë në Anmer Hall, pronën ku qëndrojnë Princi William dhe bashkëshortja e tij Kate. Sipas akuzës, nga rezidenca janë marrë gjashtë palë mansheta dhe një orë.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se të dy të pandehurit nuk dispononin dokumente të vlefshme qëndrimi apo leje për të qëndruar në vend. Hyrja e tyre e fundit në Britani dyshohet se ka ndodhur rreth gjashtë muaj përpara grabitjes së pretenduar.
Ngjarja u zbulua të hënën, kur pak para orës 18:00 policia mori një njoftim për lëvizje të dyshimta në territorin e Anmer Hall. Prona ndodhet brenda kompleksit mbretëror Sandringham, në Norfolk. Dy shqiptarët u arrestuan në afërsi të rezidencës.
Në kohën kur dyshohet se ndodhi grabitja, William, Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, nuk ndodheshin në Anmer Hall, por në banesën e tyre kryesore në Windsor.
Detaje nga ndërhyrja dhe arrestimi
Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku u paraqitën përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku u njohën me akuzat për grabitje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur. Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për një person të tretë, i cili dyshohet se ka pasur rol në ngjarje.
Gjatë seancës, prokurori John Cooper paraqiti detaje mbi mënyrën se si dyshohet se është kryer ndërhyrja në pronë. Sipas tij, autorët mund të kenë përdorur një tub kullues për t'u ngjitur në ndërtesë dhe për të depërtuar më pas në dhomën e zhveshjes.
Hetuesit kanë analizuar edhe pamjet e regjistruara nga dronët e policisë. Në to, dy personat dyshohet se janë identifikuar duke lëvizur në një zonë me pyje në veri të rezidencës. Rreth orës 19:13, në të njëjtën hapësirë u zbuluan edhe disa sende që, sipas prokurorisë, mund të ishin përdorur për kryerjen e grabitjes.
“Objekte që përputhen me ato që përdoren për grabitje u gjetën në zonën pyjore”, deklaroi prokurori Cooper gjatë seancës.
Për lokalizimin e të dyshuarve, policia zhvilloi një operacion të gjerë, ku u përfshinë qen gjurmues, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore. Një detaj tjetër i bërë publik është se në momentin e arrestimit, të dyshuarit nuk kishin këpucë.
Sipas prokurorisë, gjatë depërtimit në ndërtesë ishte dëmtuar edhe korniza e një dritareje të jashtme. Brenda rezidencës, dyshohet se autorët kishin kontrolluar në mënyrë të çrregullt ambientet, në kërkim të sendeve me vlerë.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme britanike ka konfirmuar se dy shqiptarët nuk kishin të drejtë qëndrimi në vend. Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndërmarrë procedurat për largimin e shtetasve të huaj që shpallen fajtorë për vepra penale, sapo kjo të jetë e mundur nga pikëpamja ligjore.
Të dy të pandehurit janë lënë në paraburgim dhe seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 30 nëntor. Gjatë paraqitjes në gjykatë, ata komunikuan përmes një përkthyesi të gjuhës shqipe, i cili ishte i pranishëm nëpërmjet lidhjes me video.
Pallati Kensington ka konfirmuar se as Princi William, as Princesha Kate dhe as fëmijët e tyre nuk ndodheshin në Anmer Hall në momentin e incidentit. Pallati nuk ka pranuar të japë komente të mëtejshme lidhur me çështjet e sigurisë.