Kursimet në banka kanë shfaqur tendencë ngadalësuese në muajin tetor, si në monedhën vendase ashtu dhe në euro, pas disa muajsh rritjeje, që sidomos për lekun ishte e shpejtë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në fund të muajit tetor, stoku i depozitave ne lekë zbriti në 793 miliardë lekë, me një tkurrje prej 2.8 miliardë lekësh në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 0.4% më pak.
Kjo është hera e parë që nga shkurti që tendenca e kursimeve në lekë është në rënie.
Tkurrja në kursimet në monedhën vendase në tetor erdhi nga korporatat jo financiare si dhe nga qeveria lokale dhe administrata publike. Depozitat e rezidentëve vijuan tendencën rritëse, ndonëse shumë të lehtë.
Në krahasim me një vit më parë, (tetor 2026/tetor 2025), depozitat në lekë janë rritur me 105 miliardë lekë, ose 15%.
Edhe tendenca e kursimeve në euro ishte me rënie në tetor. Sipas statistikave të Bankës, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët, që përbëjnë pjesën më të madhe të kursimeve në valutë ishte 9.57 miliardë lekë në fund të tetorit, me një tkurrje prej 55 milionë eurosh, ose 5.7% më pak se shtatori 2026.
Rënia është ndikuar nga uljet në depozitat e korporatave jo financiare, individëve dhe qeverisë lokale.
Me bazë vjetore (tetor 2026/tetor 2025), depozitat në euro janë shtuar me 913 milionë euro, ose 10.5% më shumë.
Të konvertuara në euro, me kursin aktual, shtesa vjetore totale e depozitave (tetor 2026/tetor 2025) ishte rreth 2.1 miliardë euro, me rreth 56% të shtesës që erdhi nga monedha vendase.
Banka e Shqipërisë raporton stokun e depozitave të konvertuara në lekë, që arriti në 1.57 trilionë lekë në tetor, nga të cilat 793 miliardë lekë në monedhën vendas, dhe 773 miliardë lekë në euro, por vlera e euros e konvertuar në lekë është e zhvlerësuar, për shkak të kursit./ Monitor














