Hakerët depërtojnë në platformën kryesore kompjuterike të Forcave Ajrore amerikane, alarm për sigurinë ushtarake
Hakerët kanë arritur të depërtojnë në platformën kryesore kompjuterike në re të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Cloud One, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe sistemeve që mbështesin operacionet ushtarake amerikane.
Ndërhyrja është zbuluar gjatë muajit të fundit dhe ka shkaktuar ndërprerje në disa shërbime të platformës, e cila përdoret për menaxhimin e të dhënave të personelit, pagave, logjistikës dhe mirëmbajtjes së pajisjeve ushtarake.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, sa të dhëna mund të jenë komprometuar dhe nëse sulmuesit kanë arritur të marrin informacione të klasifikuara, shkruan reuters.
Cloud One është një nga platformat më të rëndësishme digjitale të Forcave Ajrore amerikane. E krijuar në vitin 2017, ajo mbështetet në shërbimet kompjuterike të gjigantëve teknologjikë Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet.
Përmes saj funksionojnë dhjetëra aplikacione, përfshirë sisteme që menaxhojnë të dhënat e ushtarakëve, si dhe platforma për përcjelljen e bombave dhe raketave në më shumë se 200 lokacione të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.

Ndër sistemet e mbështetura nga kjo infrastrukturë është edhe ai për komandimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore, i cili mbledh informacione nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe burime të tjera në Amerikën e Veriut.
Pas zbulimit të ndërhyrjes, autoritetet kanë pezulluar disa procese të planifikuara për transferimin e aplikacioneve në platformë. Gjithashtu, janë ndaluar përditësimet e disa aplikacioneve dhe disa përdoruesve u janë kufizuar privilegjet administrative.
Sipas informacioneve të para, sulmuesit dyshohet se kanë shfrytëzuar një dobësi në softuer për të depërtuar në nivelin qendror të kontrollit të sistemit. Një qasje e tillë mund t'u mundësonte të shihnin informacione mbi gjendjen operative të aeroplanëve ushtarakë dhe lëvizjen e pjesëve rezervë, megjithëse nuk është konfirmuar nëse kanë arritur ta bëjnë këtë.
Në hetimin e incidentit është përfshirë edhe Komanda Kibernetike e ushtrisë amerikane.
Forcat Ajrore të SHBA-së nuk kanë dhënë hollësi për incidentin, duke deklaruar se nuk komentojnë dobësitë apo gjendjen e sigurisë së sistemeve të veçanta, por se vazhdojnë të marrin masa për mbrojtjen e informacionit dhe kapaciteteve të tyre.
Sulmi ndaj Cloud One vjen në një periudhë kur institucionet amerikane po përballen me një varg incidentesh kibernetike, përfshirë ndërhyrje të raportuara ndaj FBI-së, Pentagonit dhe disa agjencive të tjera qeveritare.
Incidenti ka rikthyer vëmendjen te cenueshmëria e infrastrukturës digjitale ushtarake, veçanërisht në një kohë kur sistemet kompjuterike dhe shërbimet në re janë bërë pjesë thelbësore e funksionimit të ushtrive moderne. /Telegrafi/





























