Vinçesk Piroli si Julian Sinanaj? Nën hetim për 5 vrasje me pagesë, në Lezhë dyshohet se do ekzekutonte Erjon Tuçin, plan për një eleminim tjetër në Shkodër, një i penduar, SPAK pritet të zbardhë një sagë krimesh. A po zbardhet atentati i Rinasit?

Investigim

Publikuar: 27/11/2026

Vinçesk Piroli si Julian Sinanaj? Nën hetim për 5 vrasje me pagesë, në Lezhë dyshohet se do ekzekutonte Erjon Tuçin, plan për një eleminim tjetër në Shkodër, një i penduar, SPAK pritet të zbardhë një sagë krimesh. A po zbardhet atentati i Rinasit?

Vinçesk Piroli, emri i të cilit është rikthyer në qendër të vëmendjes vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi ta nxirrte nga qelia, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”, mund të rezultojë një Julian Sinanaj i dytë, killeri gjakftohtë dhe i stërvitur që u dënua me 30 vite burg. Por, ndryshe nga Sinanaj, i cili vepronte i vetëm, Piroli dyshohet se ishte protagonist i një grupi kriminal me veprimtari krime kundër jetës (vrasje me pagesë), për llogari të grupeve të tjera kriminale.

I arrestuar në 11 tetor 2026, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, teksa po përgatitnin një atentat në zonën e Lezhës, Piroli mësohet se dyshohet nga policia dhe prokuroria për të paktën 5 varje me pagesë. Sipas burimeve, në Lezhë, Vinçesk Piroli dhe grupi i tij dyshohet se po planifikonin të vrisnin shtetasin Erion Tuci. Sipas dyshimeve hetimore, vrasja e Tucit ishte planifikuar për motive hakmarrjeje, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së një shqiptari në një burg në Greqi.

Për ngjarjet kriminale, autoritetet kanë siguruar edhe një dëshmi, e cila pritet të ndihmojë në dokumentimin e përfshirjes së personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre. Bazuar në dëshminë e një prej anëtarëve të grupit, Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri dyshohet se kishin marrë porosi dhe po planifikonin edhe vrasjen e një personi në Shkodër. Vrasjet e dyshuara si të planifikuara në Lezhë dhe Shkodër u parandaluan me ndërhyrjen e policisë.

Ndërkaq, Vinçesk Piroli është shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës si i dyshuar për ekzekutimin e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, 65 vjeç, i cili u vra me armë zjarri më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Së bashku me Pirolin, për vrasjen e Frrok Lleshajt dyshohet edhe Kristjan Ymeri. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar për të dy masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Piroli ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga autoritetet malazeze si autor i dyshuar për ekzekutimin e shtetasit malazez Momçillo Gjurishiç (68 vjeç) në Ulqin, më 4 korrik 2021, në bashkëpunim me Dorian Lalën.

Hetuesit kanë dyshime të forta se grupi i vrasëve me pagesë kanë marrë pjesë edhe në krime të tjera të rënda të pazbardhura. Grupi po verifikohet për implikim të mundshëm në atentatin e Rinasit, 11 nëntor 2025, ku u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u plagos rëndë ish agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani, i cili ndërroi më pas jetë në spital.

Vinçesk Piroli dyshohet nga autoritetet si i përfshirë në atentatin ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Rruzhdiut”. Atentati ndodhi në mëngjesin e 20 shtatorit 2026 në qendër të Sarandës, pranë zonës së njohur si “Agjencia e Vjetër”, vetëm pak metra larg komisariatit të policisë. Në vijim dosje e këtij grupi kriminal pritet t’i kalojë për kompetencë SPAK-ut.

Si u lirua nga burgu me vendim të Apelit?

Pavarësisht dyshimeve të rënda në dosjen e atentatit të dyshuar në Lezhë, Vinçesk Piroli qëndroi vetëm 38 ditë në paraburgim. Më 19 nëntor 2026, Gjykata e Apelit pranoi ankimin e tij dhe ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Vendimi i dha mundësinë Pirolit të linte qelinë dhe të vijonte hetimin nën një masë më të lehtë sigurie.

Në kohën kur u raportua vendimi, dispozitivi i plotë dhe arsyetimi i Gjykatës së Apelit nuk ishin bërë ende publikë. Për këtë arsye, nuk mund të përcaktohet me siguri se cilat ishin argumentet konkrete juridike që çuan gjyqtarët drejt ndryshimit të masës së sigurisë. Por vetëm shtatë ditë pas këtij vendimi, emri i Pirolit shfaqet sërish në një tjetër dosje të rëndë kriminale, këtë herë për vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj.